27-vjetori i humbjes së Enzo Ferrarit, Marchionne: Trashëgimia e tij, një stimul për të sfiduar gjithçka

13/08/2015 00:00

Trashëgimia e Enzo Ferrarit, i ndarë nga jeta më 14 gusht të 1988-s, plot 27 vite më parë, është “një pikë konstante referimi, një stimul për të bërë gjithnjë më të mirën”. Me këto fjalë të shprehura në faqen zyrtare të Ferrarit, presidenti i “kokëkuqes”, Sergio Marchionne ka rikujtuar themeluesin e skuderisë nga Maranello.

“Nëse do të ishte gjallë sot – lexohet në faqen e internetit, – do të vlerësonte në maksimum sforcon që jemi duke bërë për ta bërë Ferrarin edhe më modern, si dhe do të ndante bashkë me ne zemërimin e përditshëm për ta ngritur edhe njëherë skuderinë italiane në majat e botës”.

Nga ajo ditë e 1988-s, në të cilën themeluesi i “kokëkuqes” u nda nga jeta, kanë ndryshuar shumë gjëra në Maranello, por presidenti aktual dëshiron të theksojë sesa të thella janë rrënjët e tij.

“Sot, parimet dhe mësimet e dhëna prej tij janë ende të fuqishme dhe aktuale. Vendosmëria, me të cilën përballoi shumë sfida në jetën e tij, kurajoja për të ndërmarrë risqe mbi supe dhe për të shkuar kundër rrymës, kurioziteti i zjarrtë që e detyronte atë të rinovonte vazhdimisht, janë vetëm disa prej shembujve që udhëheqin edhe sot e kësaj dite aktivitetin e atyre që punojnë për Ferrarin”.

“Gjatë karrierës sime – shprehet më tej Marchionne, – kam pasur fatin dhe privilegjin të njoh nga afër personazhe tepër të rëndësishëm të botës, si nga politika, ekonomia, financat dhe industria, të cilët kanë pasur forcën për të vazhduar ëndrrat e tyre deri në realizim, për t’i transformuar më pas në ëndrrat e shumë të tjerëve. Njerëz që ndajnë mes tyre një forcë speciale, të jashtëzakonshme, aftësinë për të parë përtej horizontit të njerëzve të zakonshëm, si dhe ajo për të shpikur diçka që më herët mund të kishte qenë e paimagjinueshme. Enzo Ferrari bën pjesë pa dyshim në atë grupin e vogël të këtyre figurave të shquara, te të cilët nuk mund të përjashtosh asgjë. Trashëgimia e Enzo Ferrarit është e rëndësishme – përfundon Marchionne, – por nuk është aspak e vështirë apo e rëndë, nëse përjetohet sërish me të njëjtin pasion dhe dëshirë për të shkëlqyer, karakteristika këto që e kanë karakterizuar themeluesin gjatë gjithë jetës”.

Top Channel