Vazhdon fluksi i madh i emigrantëve nga Siria drejt ishujve grekë

13/08/2015 00:00

Me shprehjen e tmerrit të dukshëm qartë në fytyrat e tyre, dhjetëra emigrantë mbërritën në ishullin grek Kos në orët e vona të së mërkurës, duke u përpjekur që më parë të nxjerrin në tokë nga barkat e shpëtimit fëmijët e tyre të mitur.

Janë një pjesë e mbi 400 emigrantëve të huaj që u shpëtuan në orët e fundit në 18 operacione pranë ishujve të Egjeut lindor në përpjekjen e tyre të dëshpëruar për të lënë pas luftën dhe vdekjen.

“Ne jemi të gjithë të diplomuar në mjekësi apo ekonomi. Ne jemi të diplomuar, por nuk ka asgjë tani në Aleppo. Ka vetëm luftë, vetëm bomba. Ne lamë Aleppon që të vazhdojmë të jetojmë”, thotë një emigrant sirian.  

“Për fëmijët ishte e vështirë. Shumë e vështirë pa ujë, pa ushqim. Ata ishin të gjithë të lodhur dhe vetëm ulërisnin gjithë kohën. Gjashtë orë ulërisnin”, thotë një tjetër emigrant.
 
Fluksi i ri i emigrantëve të huaj ka rënduar edhe më tej gjendjen në këtë ishull disa orë pasi mbi 150 emigrantë janë përleshur me policinë sepse kanë kundërshtuar të hyjnë në stadiumin e qytetit për t’u regjistruar, aty ku qindra të tjerë kanë qëndruar për orë të tëra nën diellin përvëlues për t’u pajisur me dokumente.

Nga ana e saj, qeveria greke ka dërguar një anije me kapacitet për 1800 persona duke transferuar një pjesë të madhe të tyre drejt kampeve të pritjes në Athinë.
 
Greqia që është e gjunjëzuar nga kriza më e madhe ekonomike në historinë e saj ndodhet në qendër të vëmendjes në muajt e fundit për mënyrën e përballimit të kësaj vale emigrantësh nga brigjet turke që vijnë drejt saj për të shpëtuar nga lufta dhe për të shkuar drejt vendeve europiane.

Organizatat e huaja kritikojnë organet greke se nuk kanë bërë mjaft në mënyrën e organizimit të pritjes dhe shpërndarjes proporcionale të njerëzve dhe ndihmave, ndërsa nga ana e tyre pala greke akuzon BE-në dhe organet përkatëse për mungesë solidariteti dhe të ndihmave financiare.
 
Ndërkohë, xhirron e mediave greke po bën një peticion i një grupi qytetarësh të ishullit në fjalë, midis tyre edhe këngëtari i njohur Notis Sfakianakis, me anë të të cilit kërkojnë nga organet greke të ndalojnë këtë fluks të madh të emigrantëve të huaj të cilët i quajnë “përdhunues të kufijve dhe të jetës së tyre”.

Top Channel