Incidentet ndëretnike në Maqedoni, dyshime për inskenime të regjimit VMRO-BDI

11/08/2015 00:00

Me rikthimin e incidenteve ndëretnike nëpër rrugët e Shkupit, ku viktima të huliganëve maqedonas janë shqiptarët, janë ringjallur edhe debatet nëse këto incidente reflektojnë marrëdhëniet e tendosura ndëretnike, apo janë skenar i kontrolluar nga ana e pushtetit.

Shumica e njohësve të rrethanave politike në Maqedoni vlerësojnë se, këto incidente janë të dirigjuara dhe të kontrolluara nga ana e pushtetit dhe se ato zakonisht aktivizohen para proceseve zgjedhore.

Sipas këtyre analistëve, në mungesë të rezultateve konkrete zhvillimore, incidentet janë mekanizmi i vetëm i partive në pushtet, për të shpërqendruar opinionin dhe më pas për të legjitimuar vetveten si shpëtimtarë.

“Janë aksione të menduara mirë, që zgjasin një ditë dhe ndërpriten. Incidentet ndëretnike, kur ndodhin vërtet, nuk mund të zgjasin vetëm një ditë, por vazhdojnë edhe më tej duke pasur pengesa si nga njëra palë, ashtu dhe nga tjetra”, pohon për mediat analisti Vlado Dimosvki.

Gazetari i njohur shqiptar, Isen Saliu mendon se, nëse sulmuesit nuk arrestohen në kohë, atëherë shtohen dyshimet se, pas “komitëve” fshihet një dorë, që shtyp butonin sa herë ka nevojë për trazira.

“Është e çuditshme sesi të njëjtët tifozë, gjatë një periudhe janë shumë të sjellshëm, e pastaj bëhen përnjëherë agresivë. E gjithë kjo të bën të besosh se, dikush zotëron një ‘buton’, nëpërmjet të cilit i kontrollon këto situata konfliktuale”, pohon për mediat opinionisti Isen Saliu.

Analistët vlerësojnë se, regjimi VMRO-BDI është i gatshëm të inskenojë situata konfliktuale, vetëm e vetëm për të shpërqendruar vëmendjen e qytetarëve nga problemet reale, si dhe nga të vërtetat që u zbuluan prej bisedave të përgjuara telefonike, që i zbardhi opozita maqedonase.

Top Channel