I ofruan ulje page, refuzoi dhe shkoi te rivalët… për të fituar Superkupën

10/08/2015 00:00

Sportingu i Lisbonës është fitues i Superkupës së Portugalisë, pas fitores minimale 1-0 ndaj rivalëve të betuar të të njëjtit qytet, Benfikës, një rivalitet i ndezur edhe më shumë pas transferimit tepër të debatueshëm të trajnerit Jorge Jesus, nga “të kuqtë” te “bardhjeshilët”.

Sa i përket ndeshjes së luajtur në Faro të dielën në mbrëmje, ka qenë një gol i shënuar nga peruani Andre Carrillo në minutën e 53-të ai që ka mbyllur gjithçka, pavarësisht se nga krahu tjetër, portieri brazilian Julio Cesar kishte bërë mrekulli deri në atë moment, por edhe pas golit.

Edhe pse luhej për trofeun e parë sezonal, interesimi më i madh dhe njëkohësisht tensioni më i madh ka qenë – para, gjatë dhe pas ndeshjes – i fokusuar vetëm te një emër: Jorge Jesus, trajneri që pas 6 vitesh karrierë braktisi Benfikën, për të kaluar te Sportingu.

Me ish-ekipin e tij, Jesus pati një karrierë të shkëlqyer dhe të suksesshme, me plot 3 tituj kampionë, 5 kupa lige dhe një kupë portugeze, ndërkohë që kishte zhvilluar edhe dy finale të Europa League.

Por, në momentin kur iu desh të firmoste rinovimin e kontratës me këtë ekip, gjë që ishte ofruar me një kusht financiar, shkurtimin e pagës, ish-lojtari i Sportingut refuzoi të nënshkruante dhe shumë shpejt i gjeti dyert e hapura te rivalët e përjetshëm, në stadiumin “Jose Alvalade”.

Te Benfika, ai u zëvendësua nga Rui Vitoria, ish-trajner i të rinjve të këtij ekipi nga 2004-2006, por që në 4 vitet e fundit ka drejtuar Vitoria Guimaraes.

Top Channel