F1, ja zgjedhjet e ëndrrave të Ecclestone dhe Hamilton

10/08/2015 00:00

Fernando Alonso dhe Jochen Rindt mund të ishin një dyshe “ëndrrash” për Bernie Ecclestone, padronin e Formula 1, të cilët duhej të garonin për një skuderi si “Brabham BT49”, me Flavio Briatoren në rolin e kryeteknikut.

Edhe pse janë thjesht preferenca të të ashtuquajturit “sondazh online” të hapur nga faqja zyrtare e Formula 1, duke qenë periudhë pushimesh dhe pjesa e dytë e sezonit pritet të nisë nga fundjava e fundit e gushtit, ajo që të bie në sy është përjashtimi i shumë kampionëve nga bosi i sportit më të ndjekur të automobilizmit.

Ayrton Senna, Michael Schumacher, Juan Manuel Fangio, Jim Clarke, Jackie Stewart janë emra që vështirë të lihen jashtë liste, për të mos përmendur bashkëkohorët Sebastian Vettel dhe Lewis Hamilton, por nëse do të bëhej një zgjedhje e tillë nga britaniku, do të kishte edhe vendime kaq drastike.

Në krah të pilotit spanjoll, aktualisht te McLaren, Ecclestone bën një zgjedhje zemre: Jochen Rindt, menaxher i të cilit ka qenë vetë britaniku në fund të viteve ’60, por që ka edhe një histori prekëse. Rezulton i vetmi kampion bote që është kurorëzuar pas vdekjes. Po, sepse piloti austriak fitoi titullin e kampionit në sezonin e 1970-s kur garonte për një “Lotus72”, por u nda nga jeta për shkak të një aksidenti gjatë provave për Çmimin e Madh të Italisë, në Monza, më 5 shtator të atij viti, kur kishin mbetur edhe 3 gara nga fundi i sezonit.

Si drejtues të “skuderisë perfekte”, Ecclestone ka zgjedhur Briatoren, një përzgjedhje që veç aftësive të padiskutueshme të italianit si teknik, i faturohet edhe zbulimi te Benettoni i pilotëve të tillë si Schumacher dhe Alonso. Po makina perfekte, pse “Brabham BT49”? Një e tillë furnizohej me motorë Cosworth dhe ishte dizenjuar nga Gordon Murray. Hyri në botën e automobilizmit dhe në F1 gjatë viteve 1979-1982 dhe me këtë makinë, Nelson Piquet fitoi Botërorin gjatë 1981-shit, një vit pasi kishte dalë nënkampion.

Po zgjedhjet e Hamiltonit? Edhe kampioni aktual i botës, Lewis Hamilton, ka bërë të ditur skuderinë e tij të ëndrrave. Sigurisht nuk mund të mungonin Ayrton Senna dhe Juan Manuel Fangio, si pilotë, ndërsa çudia përbën zgjedhja e kryeteknikut: pikërisht Bernie Ecclestone. Makina perfekte për të është britanikja “McLaren Mp4/4”, e ideuar dhe projektuar nga Gordon Murray dhe Steve Nichols, e cila edhe sot e kësaj dite rezulton si më efikasja e historisë së Formula 1.

Ajo makinë fitoi 15 nga 16 çmimet e mëdha në të cilat mori pjesë, por mbi të gjitha, duke garuar një makinë të tillë Ayrton Senna fitoi Botërorin e 1988-s.

Top Channel