Proverbi i lashtë grek i Aristodemit, që thoshte se Athina dhe Sparta janë të lidhura në të mirë e në të keq me njëra-tjetrën, duket se nuk vlen në raportet mes kryeqytetit grek dhe Berlinit.

Gjermania nuk është dëmtuar nga kriza e Euros aq sa Sparta në fund të luftërave të Peloponezit, që panë nga njëra anë Athinën të dorëzohej, por nga ana tjetër dobësimin e rivales historike të saj, Spartës.

Në fakt, gjermanët të drejtuar nga Angela Merkel dhe Wolfgang Schaeuble, që kanë ndjekur linjën e ashpër karshi krizës ekonomike dhe financiare të Greqisë, kanë përfituar nga vështirësitë e Athinës.

Sipas studimit të Institutit të Leibnitzit, Gjermania është vendi që ka përfituar më shumë ekonomikisht nga kriza greke. Që nga vitit 2010, Berlini ka kursyer rreth 100 miliardë euro taksa interesash falë reduktimeve të vendosura nga Banka Qendrore Europiane.

“Ky kursim tejkalon kostot e krizës dhe është i mjaftueshëm për të përballuar edhe nëse Greqia e ka të pamundur të shlyejë borxhet e veta”, thuhet në raportin e institutit të famshëm gjerman.

Pra, gjermanët që nuk pranojnë kurrsesi që të heqin dorë nga linja e ashpër ndaj krizës greke, prej vitesh kanë përfituar nga vështirësitë e Athinës. Sipas institutit kursimet e Berlinit tejkalojnë 3 përqind të Prodhimit Kombëtar.

“Gjermania ka përfituar në mënyrë të të zhdrejtë nga kriza e borxhit në Europë falë reduktimit të taksave të bonove, që i ka sjellë një bilanc të përgjithshëm prej të paktën 100 miliardë euro shtesë në 4 vite e gjysmë”, thonë ekonomistët e Leibnitz.

Përveç kësaj, që nga 2011, Gjermania ka siguruar edhe kontrata të rëndësishme në fushën privatizimit në Greqi. Njëra prej tyre është shoqëria Fraport, që ka marrë me koncesion 14 aeroporte rajonale greke për një shumë totale prej rreth 1 miliardë euro. 

Top Channel