Tifozët e Red Bulls tallin Pirlon dhe Lampardin

10/08/2015 00:00

Futbolli mund të mos jetë sporti më i preferuar i amerikanëve, por derbi mbetet derbi…edhe atje.

E tillë ishte sfida mes New York Red Bulls dhe New York City zhvilluar ditën e dielë. Kjo e fundit është skuadra më e re në MLS dhe në këtë merkato siguroi shërbimet e Andrea Pirlo-s dhe Frank Lampard.

Pikërisht këta dy, ish-kapiteni i Chelsea-t dhe ish-mesfushori i Juventusit, për shkak të moshës së tyre ishin në shënjestër të talljes prej tifozëve të Red Bulls.

Këta të fundit shpalosën në stadium një banderolë gjigante me karikaturat e Lampard dhe Pirlos me nga një bastun në dorë me mbishkrimin “City Retirement Home”, e përkthyer në shqip “Shtëpia e pensionistëve City”.

Banderola ka shkaktuar reagim nëpër rrjetet sociale dhe faqet e futbolldashësve, ku shumë prej tyre i kanë dalë në mbrojtje dy mesfushorëve të famshëm. Dikush u kujtoi tifozëve të Red Bulls se Pirlo e Lampard së bashku kanë 31 trofe në rang klubesh, ndërsa skuadra e tyre ka vetëm 13 në gjithë historinë e saj.

Sa i takon rezultatit, Red Bulls fituan 2-0 falë dy golave të shënuar në secilën pjesë të takimit.

FOTO GALERI
1/2
Banderola e tifozëve të New York Red Bulls

Top Channel