Në Shkup rifillon rrahja e shqiptarëve nga ana e huliganëve maqedonas. Kësaj radhe 12 banorë nga fshati Batincë e Shkupit, të dielën mbrëma janë sulmuar fizikisht nga tifozët e klubit të futbollit Vardar, “Komitët”.

Shumica e viktimave të pafajshme janë gra, të cilat në momentin e sulmit kanë qenë duke shëtitur në sheshin “Maqedonia”.

“Komitët” fillimisht kanë provokuar me fjalë fyese duke thënë se sheshi “Maqedonia” nuk është vend i shqiptarëve dhe pastaj u janë vërsulur fizikisht. Të lënduarit janë dërguar për kurim në qendrën klinike.

Mediat raportojnë se edhe në qendrën tregtare “City Moll” në Shkup, “Komitët” kanë sulmuar fizikisht dy shqiptarë nga Velesi.

Ndërkohë, mediat maqedonase nuk duan t’ia dinë për dhunën e tifozëve të Vardarit ndaj shqiptarëve të pafajshëm. Ato jo vetëm që nuk e kanë raportuar një lajm të tillë, por i akuzojnë shqiptarët si provokues.

Ndërsa policia ka konfirmuar incidentin dhe ka deklaruar se po punon për zbardhjen e rastit.

Top Channel