Villeneuve do të rikthehet të garojë… në Formula E

09/08/2015 00:00

Ai është 44 vjeç tashmë, dikur kampion bote në Formula 1, por Jacques Villeneuve pritet të veshë sërish tutat e pilotit dhe të ulet në një njëvendëshe për të garuar.

Kanadezi, i cili triumfoi në edicionin e vitit 1997 në F1 me një Williams-Renault, do të marrë pjesë në sezonin e dytë të Formula E, një kompeticion me makina elektrike, duke zënë vendin e Nick Heidfeld në skuderinë Venturi, ku do të ketë shok skuadre Stephane Sarrazin.

“Kanë kaluar 10 vite që kur kam drejtuar një njëvendëshe për herë të fundit, por është si të hipësh në një biçikletë, të cilën nuk e harron kurrë sesi pedalohet. Sezonin e kaluar jam takuar me disa pilotë të Formula E, të gjithë më kanë folur për një kampionat tepër interesant”, tha Jacques Villeneuve.

Kampionati i Formula E për sezonin 2015-2016 do të nisë më 17 tetor në Pekin të Kinës.

Top Channel