Greqia, një hap larg marrëveshjes. Të martën, lista e masave dhe reformave

09/08/2015 00:00

Greqia dhe huadhënësit e saj duket se janë vetëm një hap larg arritjes së marrëveshjes për nënshkrimin e memorandumit të tretë të ndihmës prej 86 miliardë eurosh, që do të marrë Athina në këmbim të reformave të thella strukturore dhe financiare, për të shmangur kolapsin ekonomik dhe për të qëndruar në zonën e monedhës së përbashkët, Euro.

Bisedimet shumorëshe të ditës së shtunë midis qeverisë greke dhe specialistëve të kuartetit të huadhënësve – të përbërë nga BE, BQE, FMN dhe ESM, – janë pasuar nga ato të së dielës dhe vlerësohet se  deri të martën do të jetë përfunduar plotësisht lista e plotë e masave dhe reformave të kërkuara.

Midis tyre veçohen rritja e TVSH-së në shumë artikuj të përditshëm, zgjidhja e kredive të këqija, reduktimi i pensioneve dhe tatimet ndaj fermerëve, që janë edhe pikat më të vështira ku të dyja palët duhet të bëjnë lëshime.

“Ne po i afrohemi një qasjeje finale. Do të kemi diskutime, që duhet të bëhen, dhe shpresojmë që gjithçka të shkojë mirë”, tha ministri i Ekonomisë, Georgios Stathakis.

Ndërkohë, përsa i përket reduktimit të aparatit shtetëror, duket se ky problem është zgjidhur, pasi përveç 340 mijë personave që janë larguar prej vitit 2009 nga administrata, edhe sivjet mbi 60 mijë të tjerë dalin në pension, por kjo do të rëndojë skemat e sigurimeve shoqërore.

Athina kërkon që marrëveshja e shpëtimit të jetë e miratuar para datës 20 gusht, datë në të cilën duhet t’i paguajë BQE-së një detyrim prej 3.5 miliardë eurosh.

Burime nga Brukseli, por edhe e përditshmja gjermane “Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung” në numrin e saj të së dielës, pohojnë se mbi bazën e ecurisë së mirë, deri të premten më 14 gusht marrëveshja do të jetë përfunduar, në mënyrë që të votohet në Parlamentin grek dhe më pas të ratifikohet edhe nga ministrat e tjerë të Eurozonës.

Nga mënyra sesi do të arrihet marrëveshja, do të varen edhe zhvillimet politike në vend, pasi nëse kryeministri Tsipras do të shohë se rebelët brenda partisë së tij do të vazhdojnë të mos e mbështesin, atëherë ai, pasi të sigurojë paketën e ndihmës për Greqinë, do të shkojë në vjeshtë në zgjedhje të parakoh për t’i larguar ata përfundimisht nga grupi parlamentar, duke lehtësuar qeverisjen dhe ecurinë e reformave.

Top Channel