Zhvarroset legjenda e Formula 1

08/08/2015 00:00

Trupi i legjendës së Formula 1, Juan Manuel Fangio u zhvarros për t’iu nënshtruar analizave të ADN-së pas pretendimeve të dy personave të cilët thonë se janë fëmijë të tij.

Fangio dominoi botën e Formula 1 në vitet 1950 me 5 tituj kampionë. Ai mbajti rekordin si piloti me më shumë tituj të fituar për pesë dekada, deri kur ky rekord u thye nga Michael Schumacher.

Zhvarrosja e trupit të tij në Argjentinë u bë pas vendimit të një gjykate që kërkoi ndihmën e analizave të ADN-së për të vërtetuar pretendimet e bëra publike në dy raste, ku pretendohet se Fangio ishte i ati i tyre.

Pretendimet e bëra publike lidhen me ndarjen e pasurisë së lënë nga ai. Ish-piloti argjentinas nuk u martua kurrë, por biografët thonë se ai pati një marrëdhënie intime prej dy dekadash me një femër të quajtur Andrea Berruet.

Djali i saj, Oscar Espinoza, i cili provoi pa sukses karrierën si pilot në Formula 3, është njëri prej personave që pretendon se i ati i tij është Juan Manuel Fangio, ndërsa tjetri është Ruben Vazquez.

Juan Manuel Fangio vdiq në vitin 1995 në moshën 84-vjeçare duke mos lënë asnjë trashëgimtar për pasurinë e tij.

Top Channel