“Plani B”, nuk ka prova se është ndërhyrë në bazën e të dhënave të tatimpaguesve

08/08/2015 00:00

Policia greke nuk ka gjetur asnjë provë që dosjet e taksave të milionave grekëve janë hakuar, ashtu siç u raportua më parë në mediat greke, që do ishte pjesë e një “plani B” të ish-ministrit të Financave, Yanis Varoufakis për shpëtimin e Greqisë.

Duke cituar një burim të tyrin pranë policisë, agjencia shtetërore “ANA” shkruan në orët e para të së shtunës se specialistët kanë kontrolluar katër hard disqe të Ministrisë së Financave, dhe nuk kanë gjetur asnjë shenjë që dëshmojnë se ka pasur ndërhyrje në bazën e të dhënave të tatimpaguesve.

Ndërkohë, një hetim paralel është duke u zhvilluar edhe ne mesin e stafit të Ministrisë së Financave.

Ndryshe, “plani B” synonte krijimin e një sistemi bankar paralel që do të ishte vërtet i përcaktuar në euro, por që brenda një nate mund të kthehej në një dhrahmi të re.

Funksionimi i tij do të bëhej me numrat e identitetit tatimor (AFM) të çdo qytetari edhe nga shtëpia nëpërmjet “E-banking” për t’u realizuar shkëmbimet bankare midis individëve, kompanive dhe shtetit.

Siç shkroi në korrik të këtij viti gazeta “Kathimerini”, një i besuari i Varoufakis në Ministrinë e Financave, kishte shtënë në dorë gjithë aparaturën për zbatimin e planit, por jo numrat e identitetit tatimor të qytetarëve.

Për këtë ishte vendosur që ato të merreshin nga faqja e internetit të Sekretarisë së Përgjithshme të të Ardhurave e cila kontrollohej nga Troika, me anë të hakerave, përndryshe plani do mësohej.

Top Channel