Refugjatët, UNHCR: Greqia t’i japë fund kaosit; Tsipras: Infrastruktura jonë nuk e përballon. Duam ndihmën e BE-së

07/08/2015 00:00

Infrastruktura aktuale e Greqisë nuk mund të përballojë mijëra klandestinët që zbresin në brigjet helene prej vendeve të prekura nga luftërat, si Siria apo Afganistani, gjë për të cilën kërkon ndihmë nga Bashkimi Europian.

Kështu është shprehur këtë të premte kryeministri Alexis Tsipras, i cili ndër të tjera thekson se “tashmë ka ardhur koha të shohim nëse Bashkimi Europian është BE-ja e solidaritetit, apo një BE e vendeve që përpiqen gjithësecili të mbrojë kufijtë e vetë”, koment ky i bërë gjatë një takimi me krerët e ministrive përgjegjëse që po përballojnë këtë fluks emigrantësh ilegalë.

Ndërkohë, agjencia e Kombeve të Bashkuara për refugjatët (UNHCR) i ka bërë thirrje Greqisë të vendosë nën kontroll “kaosin total” në ishujt e Mesdheut, ku mijëra emigrantë kanë zbritur deri më tani. Rreth 124 mijë kanë mbërritur vetëm gjatë këtij viti, shumica e të cilëve përmes Turqisë, sipas Vincent Cochetel, drejtor i UNHCR-së për Europën.

“Niveli i vuajtjeve që kemi parë të heqin refugjatët nëpër ishuj është i padurueshëm. Njerëzit mbërrijnë me idenë se tashmë gjenden në Bashkimin Europian, por ajo që ne kemi parë është diçka, që kurrsesi nuk mund të jetë e pranueshme në drejtim të standardeve të trajtimit të tyre”, tha Cochetel, pazi vizitoi ishujt grekë të Lesbosit, Kosit dhe Chiosit.

Autoritetet greke duhet të “udhëheqin dhe koordinojnë përgjigjen ndaj një fluksi të tillë”, tha Cochetel, një veteran 30-vjeçar i agjencisë së OKB-së për refugjatët. “Kurrë nuk kam parë një situatë të ngjashme. Ky është Bashkimi Europian dhe një situatë e tillë është tërësisht e turpshme”.

Greqia, së bashku me Italinë, kanë qenë në vijën e parë të përballimit të një fluksi tepër të madh njerëzish, emigrantë klandestinë që duan t’u shpëtojnë zonave të pasigurta të luftës dhe që janë në kërkim të sigurisë dhe një të ardhmeje më të mirë në Europë.

Megjithatë, ekonomia greke është duke rënë sërish në recesion, vetëm pak pasi kishte nisur rikuperimin nga një recesion i gjatë 6-vjeçar, që u shkaktua prej krizës së borxheve të saj. Për rrjedhojë, qeveria thotë se nuk mundet të përballojë presionin e madh të ushtruar prej mijëra refugjatëve pa parà.

“Fluksi i emigrantëve drejt Greqisë ka shkuar përtej asaj që mund të përballojë infrastruktura jonë shtetërore”, ka thënë Tsipras. “Po përballemi me probleme tepër domethënëse, ndaj dhe i kemi kërkuar ndihmë BE-së”. E megjithatë, edhe pse e pranon se kriza e emigrantëve “nuk është domosdoshmërisht prioritet kryesor për anëtarët e qeverisë greke”, Cochetel ka thënë se Greqia mundet ende të hartojë një plan për reagimet emergjente.

Top Channel