MAS: Pasaportat janë bllokuar për lojtarët që nuk kanë mbushur 18 vjeç

07/08/2015 00:00

Ministria e Arsimit dhe Sportit ka reaguar me anë të një njoftimi për shtyp, duke sqaruar pozicionin e saj lidhur me ankesën e FSHF-së sa u përket procedurave për pajisjen me pasaportë të lojtarëve të ekipeve përfaqësuese, të cilët janë gati për grumbullimin me fanelën kuqezi.

“Në rastet kur Ministria e Arsimit dhe Sportit nuk ka propozuar dhënien e shtetësisë tek Presidenti i Republikës për disa futbollistë/e, kjo ka ndodhur për arsye se bazuar në dokumentacionin e secilit prej futbollistëve të depozituar në MAS nga Federata Shqiptare e Futbollit, ka rezultuar se këta futbollistë nuk plotësonin kriteret e parashikuara në ligj. Pjesa më e madhe e rasteve për të cilat nuk është propozuar dhënia e shtetësisë ka qenë fakti se nuk kishin mbushur moshën 18 vjec”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.

Më tej, kjo ministri shton se është e angazhuar të mbështesë politikat e Federatës Shqiptare të Futbollit, sikundër edhe të federatave të tjera në drejtim të përthithjes së talenteve të rinj për ekipet kombëtare, duke kërkuar madje edhe ndryshime ligjore të cilat lehtësojnë procedurat për marrjen e nënshtetësisë shqiptare në rastet kur ka një interes kombëtar.

Top Channel