Skënderbeu ‘peshkon’ Dinamon e Zagrebit me kapiten shqiptar

07/08/2015 00:00

Dinamo e Zagrebit është pengesa e fundit e skuadrës së Skënderbeut drejt grupeve të Ligës së Kampioneve.

Në shortin që u hodh në Nion të Zvicrës për fazën play off të kompeticionit, goglat i rezervuan një kundërshtar të vështirë, por jo të pakalueshëm kampionëve shqiptarë, të cilët ndeshjen e parë do ta luajnë në Shqipëri. Presidenti Ardjan Takaj duket i vendosur për të tentuar maksimumin, hyrjen në Champions League.

“Dinamo e Zagrebit është një nga ekipet më të forta të rajonit tonë dhe ne atë kemi marrë si shembull për mënyrën e organizimit dhe për të gjitha. Ka eksperiencë të madhe, por kjo nuk do të thotë asgjë në futboll. Futbolli ka treguar se ka shumë surpriza. Aktualisht ne po mendojmë për Champions League dhe jo për Europa League. Aty jemi të kualifikuar, kështu që yzmetin po ia bëjmë Championsit”, thotë Takaj.

Kroatët nuk janë në ditët e tyre më të mira dhe këtë e tregojnë edhe rezultatet e arritura në turet eliminatore.  Në raundin e dytë Dinamo u përball me modestët CS Fola të Luksemburgut. Ndeshja e parë e zhvilluar më 15 korrik në Zagreb, u mbyll në barazim 1-1 dhe vetëm ndeshjen e kthimit, kroatët siguruan kualifikimin falë fitores 3-0.

Në raundin e tretë skuadra kroate kaloi norvegjezët e Moldes e ndihmuar edhe nga fati. Ndeshja e parë u mbyll në barazim 1-1 në Kroaci, ndërkohë që në takimin e dytë, vendasit rikuperuan disavantazhin e tre golave dhe për pak prekën kualifikimin, duke humbur edhe dy penallti.

Kohët e fundit klubi është goditur nga dy arrestime. Presidenti Zdravko Mamic dhe vëllai i tij, trajneri i skuadrës, Zoran Mamic, që të dy nën akuzë për evazion fiskal duke mos paguar taksat për shitjet e lojtarëve të skuadrës.

Në ekipin e Dinamos luajnë edhe 2 futbollistë shqiptarë, njëri Endri Çekiçi, ish-lojtar i Pogradecit dhe pjesë e kombëtares së moshave dhe tjetri, Arjan Ademi, shqiptar nga Maqedonia dhe kapiten i skuadrës kroate.

Takimi i parë mes Skënderbeut dhe Dinamos së Zagrebit do të luhet në “Elbasan Arena” në datën 18 ose 19 gusht dhe ai i kthimit një javë me pas në stadiumin “Maksimir” të Zagrebit.

Përsa u përket përballjeve të tjera, Baseli i Gashit dhe Xhakës sfidon Maccabi Tel Aviv, ndërsa mes të mëdhenjve veçohen përplasjet Valencia-Monako, Lazio-Bayer Leverkusen, Sporting Lisbona-CSKA e Moscow, Manchester United-Club Brugge dhe Rapid i Vjenës-Shakhtar Donetsk

Top Channel