Gotze-Juventus, Rummenigge: Të ardhmen e tij e vendos vetë lojtari

06/08/2015 00:00

Mes Bayern Munchen dhe Juventusit duket se klima ka ndryshuar tërësisht. Dy ekipe mike, konkurrente apo partnere biznesi? Karl-Heinz Rummenigge prej kohësh nuk i ka kursyer komplimentet ndaj drejtuesve bardhezinj.

“Andrea Agnelli e ka rilindur shoqërinë dhe skuadrën. Bardhezinjtë mbërritën deri në finalen e Championsit, ndaj dhe jam një tifoz personal i tij”.

Por, ekziston edhe një qëndrim tjetër, tërësisht në kundërshtim me të parin, gjithnjë kur bëhet fjalë për transferime lojtarësh. Vidal, Gotze dhe Coman, këto janë prova të shumë lëvizjeve gjatë kësaj vere në aksin Mynih-Torino.

Gotze, menjëherë pas ndeshjes miqësore me Milanin, ku edhe shënoi njërin prej 3 golave, shprehu sërish pakënaqësinë e tij. “Dy vitet e fundit nuk kanë qenë të lehtë, por të shohim se çfarë do të ndodhë. Do t’i pranoj gjërat ashtu sikurse do të vijnë, më pas gjithçka për t’u parë. Le të shohim madje edhe nëse ai do të flasë më shpesh me mua”, ka Gotze, duke iu referuar kështu trajnerit Pep Guardiola.

Rummenigge duket se ngec disi dhe bën një frymëmarrje të thellë përpara se të përgjigjet.

“Ka ende një kontratë dyvjeçare me ne, por nuk e di se çfarë mendon ai. I kam lexuar deklaratat e tij, por në fund të fundit duhet të jetë lojtari që vendos. Kemi oferta nga Juventus për Marion? Jo, nuk kemi pasur kurrë”.

Ndërkohë, për Vidalin ndodhi krejtësisht ndryshe. Bayerni e kishte ndjekur prej kohësh, por lëvizi në heshtje dhe shfrytëzoi terrenin “pjellor” nga ana e bardhezinjve.

“Nuk folëm publikisht për të, sepse kështu mund t’i shkohet më mirë deri në fund një tratative. Klubet e mëdha, si Juventusi, nuk të propozojnë kurrë ndonjë lojtar të madh, por ai që kërkon të blejë duhet të shkojë e të trokasë në derë. Kemi një marrëdhënie të mirë me bardhezinjtë dhe kur bie dakord, gjërat janë më pak të komplikuara. Kush ka fituar në këtë mes? Në futbollin e sotëm ka dy aspekte: ai financiar dhe ai futbollistik. Tifozët nuk e kuptojnë atë të parin, ndaj dhe na takon ne drejtuesve të mbajmë në rregull llogaritë. Megjithatë, edhe lojtari kishte dëshirë të provonte një mjedis të ri dhe zgjodhi të vinte te ne”.

Top Channel