Renditja e FIFA-s, nesër Shqipëria zyrtarizohet e 22-ta. De Biasi nuk i reziston tundimit për ta konfirmuar

05/08/2015 00:00

Renditja e FIFA-s për ekipet kombëtare për muajin gusht ende nuk është zyrtarizuar nga vetë institucioni më i lartë i futbollit botëror, i cili pritet ta publikojë pikërisht të enjten, por lajmi historik ka marrë dhenë nëpër mediat sociale, aq sa edhe trajneri i Kombëtares kuqezi, Gianni De Biasi, nuk i ka rezistuar tundimit.

Shqipëria pritet të renditet e 22-ta në renditjen botërore të FIFA-s, ndërsa tekniku italian nuk mund të mos e shfaqte gëzimin në rrjetin social Facebook, ku ka shkruar: “Vazhdon ngjitja në renditjen e FIFA-s për Shqipërinë, e cila gjatë muajit gusht kalon nga e 36 në botë, menjëherë në vendin e 22-të. Janë parakaluar kështu kombëtare si Franca, Danimarka dhe Gana”.

Në fakt është një rezultat historik, ku padyshim ka ndikuar edhe vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv të Lozanës (CAS), e cila i akordoi fitoren në tavolinë Shqipërisë pas ndërprerjes së ndeshjes me Serbinë në Beograd për shkak të trazirave në fushë. Një renditje si asnjëherë më parë, sidomos kur shihet që pas kuqezinjve kanë mbetur ekipe të tilla si Franca, Danimarka, Gana, Rusia dhe Suedia. Për momentin, ndër kundërshtarët e grupit I të kualifikuesve për në Euro 2016, që do të zhvillohet në Francë, vetëm Portugalia renditet më sipër sesa Shqipëria në renditjen e FIFA-s, që siç u tha, do të publikohet zyrtarisht nesër. Portugezët priten të ngjiten në vendin e 6, nga i 7-i ku ndodhen aktualisht.

Shqipëria, si kurrë më parë është pranë kualifikimit në finalet e “Euro 2016″, pasi renditet e treta në grupin I të kualifikueseve, në kuotën e 10 pikëve, aq sa ka grumbulluar edhe Danimarka, por ekipi i drejtuar nga De Biasi ka një ndeshje më pak të zhvilluar. Portugalia gjendet në krye me 12 pikë, me të cilën do të ndeshemi në shtator, por më parë kemi një përballje “të drejtpërdrejtë” me Danimarkën në transfertë, e më pas presim portugezët në Elbasan, takime këto që do të jenë vendimtare për kualifikimin e drejtpërdrejtë të Shqipërisë në Europian, ose mbetjen në “play-off”, të cilin e kemi siguruar matematikisht.

Top Channel