Dinamo Zagreb dhe APOEL Nikosia, rivalët e parë të mundshëm të Skënderbeut

05/08/2015 00:00

Ajaksi i Amsterdamit, 4 herë kampione e Europës, është eliminuar në fazën e tretë kualifikuese të Champions League, pasi u turpëruan me rezultatin 3-2 nga Rapidi i Vjenës në ndeshjen e kthimit të zhvilluar në stadiumin “Amsterdam Arena”, pas atij barazimi 2-2 në “Ernst Happel” të Austrisë.

Në takimin e parë, holandezët panë t’u sfumohej një avantazh prej dy golash, por gjithsesi u panë si pretendentët për të kaluar në fazën e “play-off”-eve të Championsit, e megjithatë pësuan një natë dramatike në fushën e tyre. Pikërisht në Amsterdam, Rapidi i Vjenës erdhi me të njëjtin hov siç kishte përfunduar takimin e parë; shënuan dy herë me anë të Beriç dhe Schaub gjatë pjesës së parë, por në 45-minutat e dyta u barazuan përkohësisht nga polaku Milik dhe serbi Gudelj. Atëherë kur dukej sikur ndeshja do t’u drejtohej kohëve shtesë, erdhi edhe goli i dytë i Schaub për vjenezët, të cilët kualifikohen për më tej me rezultat të përgjithshëm 5-4.

Ajaksi kishte hyrë në fazën e grupeve gjatë 4 sezoneve të fundit, ndërkohë që Rapidi i Vjenës nuk kualifikohej për në këtë fazë që prej sezonit 2005-2006.

Një tjetër i kualifikuar i mbrëmjes së të martës ishte ekipi i principatës, Monaco, pasi mposhtën 4-0 zviceranët e Young Boys. Francezët kishin fituar edhe në takimin e parë 3-1 në Bernë, por në “Stade Louis II” dhanë një performancë të shkëlqyer, duke gjetur rrugën e golit 4 herë gjatë pjesës së dytë me anë të Cavaleiro, Kurzaëa, Martial dhe El Shaaraëy.

Monaco, çerekfinaliste e sezonit të kaluar, por finaliste e sezonit 2004 kur u mposhtën nga Porto e Mourinhos, ndërsa Young Boys mbahet mend vetëm në librat e historisë së futbollit, si gjysmëfinaliste e Kupës së Europës në sezonin 1958-’59.

Edhe Dinamo e Zagrebit ka siguruar një biletë për në fazën “play-off”, që kishte barazuar 1-1 me norvegjezët e Moldes në takimin e parë të luajtur në Zagreb. Për Dinamon u duk gjithçka e lehtë, pasi në pjesën e parë shënoi plot 3 herë në transfertën norvegjeze, por në pjesën e dytë Molde bëri gjithçka të mundshme, veçse jo mrekullinë. Kampionët e Norvegjisë shënuan 3 herë në 45-minutat e dyta duke barazuar rezultatin, por kroatët kualifikohen falë golave më të shumtë të shënuar në transfertë.

Në fund u kualifikua edhe APOEL-i i Nikosisë, të cilit do t’i duhen edhe 180 minuta lojë në fazën “play-off” për të shpresuar për një rikthim në fazën e grupeve të Championsit. Në takimin e kthimit, qipriotët humbën 1-0 me danezët e Midtjylland, për të cilët shënoi Sviatchenko, por u kualifikuan për shkak të fitores 2-1 në transfertën daneze një javë më parë.

E sigurt është që Dinamo e Zagrebit dhe APOEL-i i Nikosisë mund të jenë rivalë të mundshëm që do të përballen me Skënderbeun në fazën “play-off”, pasi do të jenë pjesë e “ekipeve kampione” (Champions Route) në shortin e së premtes, ndërsa Rapidi i Vjenës dhe Monaco nuk përbëjnë rrezik për korçarët, pasi janë ekipe që nuk janë shpallur kampione në kampionatet e tyre respektive. Gjithnjë nëse nuk ndodh ndonjë befasi në “Elbasan Arena”, ku Milsamit i duhet të përmbysë avantazhin e dy golave të kampionëve të Shqipërisë.

Top Channel