Shiriti i kapitenit, Iniesta pason Xavin, pas tij Messi

04/08/2015 00:00

Xavi Hernandez nuk la bosh vetëm vendin e tij në mesfushën e katalanase, por edhe shiritin e kapitenit, që e mbante në krah prej vitesh.

Por koha ecën dhe si ai, ashtu edhe tifozët e Barcelonës e dinin që një ditë e tillë do të vinte. Ndërsa në mesfushë boshllëku i lënë prej tij në stilin e lojës së katalanasve është mbushur disi me Rakitiç, për shiritin e kapitenit për sezonin e ardhshëm duheshin pritur zgjedhjet.

Stafi teknik dhe futbollistët e Barcelonës votuan për katër kapitenët e tyre në sezonin e ardhshëm. Ai që siguroi më shumë vota dhe rrjedhimisht kapiten i parë ishte Andres Iniesta, ndjekur nga Lionel Messi, Sergio Busquets dhe në fund Javier Mascherano.

Rezultati është njoftuar formalisht nga klubi katalanas, ndërkohë që ‘certifikimin’ duhet ta bëjë trajneri Luis Enrique dhe trupa e tij e trajnerëve.

“Është një përgjegjësi e madhe që të prezantosh jo vetëm skuadrën në fushë, por klubin, fanelën dhe imazhin e skuadrës. Të jesh kapiten i parë është diçka speciale, sidomos nëse ke kaluar shumë kohë në klub. Nuk besoj se ka një model perfekt të kapitenit. Jemi të ndryshëm dhe çdokush zgjidh dhe komunikon gjërat sipar mënyrës së vet”, deklaroi Iniesta për Mundo Deportivo.

Iniesta është lojtari që mban më shumë vite ndër futbollistët aktualë të Barcelonës. Ai debutoi në tetor të vitit 2002, në transfertë ndaj Club Bruge.

Top Channel