Gara e F1 në Monza, përpjekje për të mos e nxjerrë Italinë nga Botërori

04/08/2015 00:00

Gara e Monzës ka shumë të ngjarë të qëndrojë në kalendarin e Formula 1 në të ardhmen. Pista italiane e ka pritur këtë Botëror që nga viti 1950, por ditët e fundit e ardhmja e kësaj gare u vu në dyshim për shkak të problemeve në arritjen e një marrëveshjejeje me Berni Ekleston për rinovimin e kontratës.

Kontrata aktuale, e nënshkruar mes organizatorëve të garës së Monzës dhe drejtuesve më të lartë të Formula 1, skadon në vitin 2016, ndaj u hodh ideja e një alternimi mes kësaj piste dhe asaj të Imolës, për të evituar daljen e plotë të Italisë nga Botërori i Formula 1.

Megjithatë, ditët e fundit janë publikuar lajme inkurajuese në lidhje me qëndrimin e Monzës në këtë Botëror. Sipas të përditshmes “La Gazzetta dello Sport”, qeveria italiane ka miratuar skemën e një investimi që nuk do të tatohet dhe kjo do të mundësojë mbajtjen e një gare në Monza.

“Falë këtij investimi ne mund të firmosim marrëveshjen e re me Ekleston në fillim të muajit shtator. Këtë javë do të zhvillojmë një takim me Presidentin e SIAS, që administron Monzën, Andrea Dall’Orto, për të nënshkruar akordin me kryebashkiakët e Milanos e të Monzës. Monza duhet të jetë ende pjesë e Formula 1”, ka thënë Roberto Maroni, Guvernatori i rajonit të Lombardisë.

Berni Ekleston u shfaq mjaft i kënaqur për këto zhvillime të reja në lidhje me Çmimin e Madh të Monzës: “Ky padyshim është një lajm shumë i mirë. Shpresojmë që italianët ta realizojnë atë që po mendojnë të bëjnë. Ne jemi të kënaqur dhe duam që Monza të jetë ende pjesë e Botërorit të F1. Por, duam që kjo të ndodhë, ashtu sikurse edhe me pistat e tjera, pa bërë asnjë përjashtim”.

Top Channel