UEFA ndëshkon Kukësin: Humbje në tavolinë dhe gjobë 70 mijë euro; Gjici, i hapur për bisedime me këdo

04/08/2015 00:00

Komisioni i Disiplinës së UEFA-s ka zbardhur vendimin në lidhje me ndeshjen e parë të raundit të tretë të Europa League, mes Kukësit dhe Legias së Varshavës, e zhvilluar në “Qemal Stafa”.

Ky takim u ndërpre në minutën e 52-të, pas goditjes së një lojtari polak nga tifozët. Sipas vendimit të UEFA-s, Kukësi ka humbur në tavolinë ndeshjen me rezultatin 3-0; është gjobitur me 70 mijë euro dhe dy ndeshjet e ardhshme europiane do t’i luajë pa tifozë.

Pas këtij vendimi ka reaguar presidenti i Kukësit, Safet Gjici, i cili kishte paralajmëruar qysh më herët largimin pas vendimit të UEFA-s, por tashmë ka një tjetër kusht për skuadrën: kualifikimin për në raundin tjetër, në të kundërt sërish pozicioni i tij është në diskutim.

“Siç e dini, jam ende president i klubit të Kukësit dhe s’kam marrë ndonjë vendim. Sot (e martë) kam mbledhur ekipin dhe u kam thënë se, nëse nuk kualifikohen në Varshavë, unë do të rishoh pozicionin tim për të vazhduar më tej ose jo investimin tim tek ekipi. Na e ndërprenë ëndrrën në mes. Faktin se kush e ndërpreu duhet ta zgjidhim duke e diskutuar, por ata që e ndërprenë ëndrrën për në grupet e Europa League, nuk e meritojnë që unë të vazhdoj të investoj për ta. Qofshin tifozë, sigurisht jo të gjithë por ata pak që i bëjnë të tilla gjëra”, u shpreh presidenti i klubit verilindor, Safet Gjici.

Ndërkohë që, prej ditësh përflitet një interesim i tij për skuadrën e Vllaznisë së Shkodrës, gjë që vetë Gjici thotë se nuk e ka ai interesin për të marrë asnjë skuadër, por nëse dikush ka ndërmend ta afrojë, ai është i gatshëm për bisedime.

“Unë jam si puna e lojtarëve në treg, pavarësisht se kam rolin e presidentit. Kush më kërkon, nëse do të jem i lirë nga Kukësi, unë ulem e bisedoj. Unë nuk e kam kërkuar klubin e Vllaznisë, por e vlerësoj si një ekip me emër shumë të madh dhe që i ka dhënë shumë futbollit shqiptar, e vlerësoj si djepin e futbollit, por vlerësoj edhe tifozët të cilët u shprehën të gatshëm të vinin deri në Lezhë e të më merrnin në krah për të më çuar deri në Shkodër. Ata nuk kanë pse ta bëjnë këtë gjë, sepse unë shkoj vetë. Kështu që unë jam thjesht një ‘lojtar’ në treg. Edhe Lushnja më ka kërkuar, por nëse Bashkia e Shkodrës më kërkon të ulemi në bisedime, jam i gatshëm”, vijoi më tej deklaratën Safet Gjici.

Gjithsesi, situata te Vllaznia bëhet gjithmonë e më e vakët. Kryetarja e re e Bashkisë, Voltana Ademi, ende nuk ka marrë zyrtarisht mandatin, për të cilin parashikohet të betohet më 10 gusht. Një afat, që shtyn edhe më tepër bisedimet, nëse do të kishte ndonjë interes për të afruar Gjicin, pasi koha nuk premton as për përforcime në merkato, nisur nga fakti që sezoni i ri i Superiores fillon në datën 22 gusht.

FOTO GALERI
1/1
Safet Gjici, presidenti aktual i ekipit të Kukësit

Top Channel