Skënderbeu, thirrje për qetësi para Milsamit

03/08/2015 00:00

Duke marrë shkas nga ngjarja e turpshme që ndodhi në ndeshjen Kukës –Legia Varshavë në “Qemal Stafa”, shefi i klubit të Skënderbeut, Ilir Përmeti, ka kërkuar maturi dhe qetësi nga tifozët që do të jenë në “Elbasan Arena”, në mënyrë që 90 minutat e fundit ndaj Milsamit të shndërrohen në një festë kombëtare.

“Klubi ka gjithë javën që merret me organizimin e ndeshjes. U bëj thirrje nga ana e klubit që të gjithë ata që do të jenë të pranishëm në stadium që të mbështesin ekipin sepse është një moment i veçantë, moment historik, të distancohemi nga thirrjet dhe parrullat raciste apo politike, të distancohemi nga sendet e forta që mund të hidhen në fushë. Europa është fare pranë. Është diçka e veçantë për të mirën e të gjithëve”

Gjithsesi, drejtuesit e klubit korçarë kanë marrë masa ekstreme për sfidën e të mërkurës. Përveç forcave të rendit, do të jenë edhe mbi 100 punonjës sigurie që do të merren me kontrollin e tifozëve dhe sigurinë në stadium. 

Nga ana e saj, Policia e Elbasanit ka njoftuar bllokimin e disa segmenteve rrugore si dhe ndalimin e qarkullimit të mjeteve në disa zona pranë stadiumit “Elbasan Arena”, aty ku të mërkurën do të luhen 90 minutat e fundit mes Skënderbeu dhe moldavëve të Milsamit.

Top Channel