Intelektualët e Kumanovës: T’u jepet fund skenareve destabilizuese

02/08/2015 00:00

Intelektualët shqiptarë të Kumanovës, nëpërmjet një deklarate publike drejtuar institucioneve të Maqedonisë dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë, kërkojnë të pamundësohet realizimi i skenareve të errëta destabilizuese dhe t’i jepet fund propagandës, që ka për qëllim ta shndërrojë Kumanovën në një “fuçi baruti”.

“Kumanova dhe rajoni i saj më i gjerë janë shndërruar në një arenë të skenareve të errëta dhe destabilizuese, që kanë prapavijë të rrezikshme”, thuhet në deklaratën e intelektualëve kumanovarë.

Nënshkruesit e kësaj deklarate vlerësojnë se, autorët dhe porositësit e këtyre skenareve të zeza, tentojnë me çdo kusht që të nxisin incidente, të shkaktojnë tragjedi e dhunë në këtë rajon, me qëllim tërheqjen e vëmendjes nga përgjegjësia politike, dështimet e qeverisjes, akuzat për krim e korrupsion, si dhe përballja me drejtësinë.

“Ishin 9 dhe 10 maji, kur Kumanova u trondit nga një skenar destruktiv dhe me shumë pikëpyetje, që përfundoi me viktima, tmerr, pasoja post-traumatike dhe dëme të mëdha materiale në ‘lagjen e Trimave’. Por, edhe me arratisjen në heshtje të dhjetëra familjeve shqiptare drejt vendeve të tjera”, thuhet në këtë deklaratë.

Intelektualët kumanovarë vënë në dukje edhe efektet shqetësuese të incidentit brenda radhëve të partisë në pushtet, BDI, ku pati një të vrarë dhe dy të plagosur, si dhe propagandën e mediave proqeveritare, që terrorizon banorët e Kumanovës dhe Likovës me informacione për një operacion të gjerë antiterrorist policor në disa fshatra të kësaj zone.

Top Channel