Guardiola, larg Bayernit? Nëse po, e pret City për 140 mln euro

02/08/2015 00:00

Manchester City është gati të bëjë “çmendurira” për të sjellë në “Etihad Stadium” teknikun spanjoll të Bayern Munchen, Pep Guardiola, duke nisur nga sezoni i ardhshëm 2016-2017.

“Citizens” priten t’i bëjnë një ofertë prej 27 milionë eurosh në sezon, për një kontratë 5-vjeçare, trajnerit tepër të suksesshëm si me Barcelonën, ashtu edhe me Bayernin, por me këtë të fundit edhe me shumë trofe të sfumuar.

Tratativa pritet të kapë shifrat e 140 milionë eurove në total, por që për t’u realizuar do të duhet të pritet fundi i sezonit, atëherë kur skadon edhe kontrata aktuale e trajnerit të anglezëve, Pellegrini, apo më saktë në qershor të 2016-s.

Anglezët e sheikëve e kanë shfaqur admirimin e tyre ndaj trajnerit spanjoll prej vitesh, por sipas tabloidit “the Sun”, këtë herë do të jetë përpjekja e fundit dhe decizive. E duke ditur se Guardiola duket shumë pranë përfundimit të aventurës së tij gjermane në Bavari, City duket se ka zbuluar kartat për këtë superofertë.

Top Channel