Superkupa e Gjermanisë, Bayerni i Guardiolës bën “tripletë” humbjesh. Triumfon Wolfsburg

02/08/2015 00:00

Bayerni i Pep Guardiolës e nis në të njëjtën mënyrë edhe këtë sezon të ri. Pikërisht duke humbur Superkupën e Gjermanisë, për herë të tretë me spanjollin në krye të pankinës. Bavarezët u mposhtën pas gjuajtjeve të 11-metërshave nga Wolfsburgu, një ekip që e kishte për herë të parë paraqitjen në një sfidë të tillë. 90 minutat e rregullta përfunduan 1-1 pas golave të shënuar nga Robben e më pas Bendtner, ndërkohë që nga penalltitë rezultoi deciziv gabimi i Xabi Alonsos.

Bayerni e nisi shumë mirë dhe u shfaq rrezikshëm që në sekondat e para me Douglas Costa, blerjen më të re të gjigantëve gjermanë. Ndërkohë edhe në minutën e 8 goditën traversën me anë të Boateng, e megjithatë Wolfsburgu nuk u dorëzua nga ky presion, përkundrazi sikur mori zemër.

Vetëm në minutën e 32-të vjen rasti i parë për gol, apo më saktë për autogol nga ana e Benatias, por Neuer reagon me shpejtësi, pavarësisht vështirësisë së momentit. Me rrjeta të praprekura u mbyll pjesa e parë, ndërsa në të dytën, vetëm pas 4 minutash lojë, bavarezët gjejnë golin e avantazhit: aksion i Douglas Costa, gjuajtje e Lewandowskit që devijohet nga portieri belg i “ujqërve” dhe Robben që nuk gabon nga topi i ardhur prej tij, duke realizuar golin e parë pas rikthimit. Kishte që prej 22 marsit që nuk aktivizohej titullar.

Por, kur gjithçka dukej se po shkonte në favor të kampionëve të Bundesligës, vetëm një minutë nga fundi i lojës Bendtner, një kundërshtar që do të luajë edhe përballë Shqipërisë në kualifikueset e Euro 2016, shënon gol pas krosimit të De Bruyne.

Pas këtij rezultati shkohet në gjuajtjet e 11-metërshave, aty ku Xabi Alonso ishte i vetmi që gaboi për bavarezët, ndërsa për Wolfsburgun shënuan që të gjithë.

Superkupa e Gjermanisë shënoi edhe një rekord. Për të gjashtin sezon radhazi ndeshja decizive për trofeun e parë sezonal u luajt me një stadium të ezauruar tërësisht. 30 mijë ndjekës në stadiumin e Wolfsburgut, ndërkohë që në 3 sezonet e kaluara Supërkupa ishte luajtur në stadiumin e Dortmundit me mbi 80 mijë shikues, apo në atë të Bayernit me mbi 70 mijë të pranishëm.

Top Channel