Zi në shtëpinë Beckenbauer, vdes djali 46-vjeçar i legjendës gjermane të futbollit

01/08/2015 00:00

Në familjen Beckenbauer ka rënë zia. Djali i madh i Kaiser Franz Beckenbauer, Stephan, ka ndërruar jetë në moshën 46-vjeçare.

Stephan ishte fëmija i madh nga pesë fëmijët e legjendës gjermane të futbollit dhe i vetmi që ndoqi gjurmët e të atit. Ai ndërroi jetë në orët e para të së shtunës, pas një sëmundjeje të rëndë me të cilën u diagnostikua prej disa kohësh.

Stephan ka luajtur në total 12 ndeshje në Bundesligë, që të gjitha me skuadrën modeste Saarbrucken. Do të bëhej i famshëm më shumë si trajner në akademinë e Bajernit të Mynihut, ku falë tij janë zbuluar një sërë talentesh të bavarezëve, por edhe të kombëtares gjermane.

Ai ka një meritë të madhe në identifikimin e vetive të Bastian Schweinsteigger, talentit të Mats Hummels dhe grintës së Thomas Muller, që të tre futbollistë të dalë nga ekipet zinxhirë të Bajernit, që një vit më parë ngritën lart trofeun e Kupës së Botës në Brazil.

Megjithëse punonte si vartës i të atit, marrëdhëniet mes tyre jo gjithmonë kanë qenë të mira. Në të shkuarën ata janë përplasur disa herë dhe për këtë vetë Stephan do të deklaronte pak kohë më parë se, marrëdhënie me të atin ishte e vështirë për shkak se ai ishte shumë perfekt në ato që bënte e kërkonte.

Top Channel