Maqedoni, vapa ‘liron’ nga puna gratë shtatzëna dhe të sëmurët kronikë

29/07/2015 00:00

Ministria e Shëndetësisë në Maqedoni ka zgjatur deri më 4 gusht rekomandimin për lirimin nga puna për gratë shtatzëna dhe personat e sëmurë kronikë mbi 60 vjeç.

Vazhdimi i këtyre rekomandimeve vjen si pasojë e paralajmërimit nga Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike se deri në fund të javës do të vazhdojnë temperaturat e larta mbi 40 gradë.
 
Për shkak të temperaturave të larta dhe mundësisë së rritur për paraqitjen e helmimeve me ushqim dhe sëmundje infektuese të zorrëve, rekomandohet larje e obligueshme e prodhimeve bujqësore para përdorimit të tyre, si dhe përgatitje termike e ushqimit dhe konsumimit të tij në afat shumë të shkurtër pas përgatitjes 
 
Ministria kujton edhe se në të gjitha qytetet janë vendosur pika për rekomandime parandaluese dhe këshilla për mbrojtje nga temperaturat e larta. Pikat funksionojnë çdo ditë në periudhën nga ora 18:30 deri në orën 21.30. Në këto pika bëhet matja e tensionit të gjakut dhe jepen këshilla për mbrojtjen nga moti i nxehtë dhe për mënyrën e shëndetshme të jetës.

Top Channel