Skënderbeu një hap larg grupeve, fiton në transfertë ndaj Milsamit

28/07/2015 00:00

Skënderbeu hedh një hap gjigant drejt fazës “play off” të Ligës së Kampionëve duke fituar 2-0 në transfertë ndaj moldavëve të Milsamit.

Ishte Hamdi Salihi ai që shënoi dy herë për korçarët. Sulmuesi shkodran shënoi fillimisht në minutën e 50-të pas një asisti të marrë nga Latifi dhe dyfishoi rezultatin në minutën e 70-të nga pika e bardhë e penalltive.

Skuadra e Skënderbeut pati edhe disa raste të tjera të pastra për të shënuar, por nxitimi i futbollistëve dhe fati iu mohuan këtë.

Ndeshja e kthimit luhet javën tjetër në “Elbasan Arena” dhe nëse korçarët ruajnë avantazhin e 2 golave që morën këtë mbrëmje në Moldavi, kalojnë në fazën “play off”, ku do të jenë skuadrat e kualifikuara në këtë tur dhe vendet e 3 dhe të 4 të kampionateve më të rëndësishme europiane.

Cilido qoftë kundërshtari, një gjë është e sigurtë; nëse Skënderbeu kalon Milsamin, më e pakta është që do ta shohim në fazën e grupeve të Ligës së Europës dhe mrekullia; në grupet e Ligës së Kampionëve.

Top Channel