E ardhmja e Kimit, Arrivabene: Prioritet është përmirësimi i Ferrarit

28/07/2015 00:00

Prioriteti kryesor i skuderisë nga Maranello nuk është përzgjedhja e kolegut të Sebastian Vettel për sezonin 2016, por përmirësimi i makinës aktuale të këtij sezoni, SF15-T.

Kështu i është përgjigjur Maurizio Arrivabene kuriozitetit të shumë reporterëve, të cilët edhe në Hungaroring nuk kanë ndalur së bëri pyetje mbi të ardhmen e Kimi Raikkonenin. Ende nuk është e qartë nëse finlandezi do të konfirmohet nga Ferrari për vitin 2016, por si zakonisht, mes garës së Hungarisë dhe asaj të Monzas në Itali, strategjitë e skuadrave konsiderohen thuajse të përcaktuara.

Hipoteza e shpalljes së emrit të pilotit “të ri apo ekzistues” që në Çmimin e Madh të Hungarisë u sfumua, ndaj dhe vëmendja e reporterëve mbetet ende e fokusuar te “njeriu i akullt”. Megjithatë, ndodhi ajo që ndoshta nuk pritej: “kokëkuqja” e drejtuar nga Sebastian Vettel fitoi garën, ndërsa për një kohë të gjatë të garimit Kimi Raikkonen ishte i dyti, përpara se të “tradhëtohej” nga sistemi KERS.

Megjithatë, Arrivabene kërkon nga të gjithë vëmendjen te prioritetet dhe për pilotët do të flitet me qetësi në të ardhmen e afërt.

“Objektivi është të fokusohemi në makinën e 2015-s për të reduktuar diferencat me rivalët tanë – ka thënë kreu i skuderisë italiane i cituar nga media angleze “Autosport”. – Do të ketë kohë për të folur për pilotët. Kimi bëri një garë të mirë, por për fat të keq pësoi një problem dhe fitorja e Çmimit të Madh të Hungarisë nuk rezultoi të ishte e dyfishtë. Tashmë kemi një pushim 4-javor përpara se t’i drejtohemi garës së Belgjikës. Gjatë verës sigurisht as nuk merren vendime përfundimtare, as nuk punohet dhe as nuk mendohet. Thjesht shijohen pushimet, përndryshe do të quhej punë edhe kjo periudhë”.

Top Channel