Greqi, nisin bisedimet mes qeverisë dhe huadhënësve. “Trojka” kërkon më shumë reforma

27/07/2015 00:00

Bisedimet mes Greqisë dhe huadhënësve ndërkombëtarë mbi paketën e tretë të shpëtimit kanë nisur këtë të hënë në Athinë, por kreditorët duan të shohin më shumë reforma të kthyera në ligje, përpara se të disbursojnë huatë e para për të mbajtur “gjallë” vendin helen buzë falimentit.

Qeveria e kryeministrit Alexis Tsipras ka kaluar dy paketa reformash në Parlament gjatë këtij muaji, si parakushte për plotësimin e rrethanave për të nisur negociatat mbi një program të ri huadhënieje 3-vjeçare me vlerë deri në 86 miliardë euro (95 miliardë dollarë), në mënyrë që Greqia të mbetet pjesë e Eurozonës.

Një zëdhënëse e Komisionit Europian tha se ekipet përfaqësuese të institucioneve huadhënëse janë tashmë në Athinë. “Puna ka nisur, gjë që nënkupton se institucionet respektive janë në bisedime me autoritetet greke”, tha ajo.

Bisedimet duhej të kishin filluar që të premten e kaluar, por u shtynë për shkak të disa problemeve me organizimin dhe sigurinë. “Negociatat për një memorandum mirëkuptimi duhet të avancojnë tashmë, sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Mina Andreeva, zëdhënëse e KE-së, gjatë një njoftimi të shkurtër.

Të dyja palët kanë bërë të ditur se dëshirojnë që marrëveshja e re të arrihet brenda 20 gushtit të ardhshëm.

Greqia shkoi pranë falimentit gjatë një ngërçi dhe mosmarrëveshjeve të shumta mes qeverisë dhe huadhënësve të vendit helen, pasi Athina nuk mundi të paguante në kohë një këst borxhi ndaj Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe u detyrua të mbyllte bankat e vendit për 3 javë.

Votuesit, të irrituar prej viteve të tëra me masa shtrënguese, kërkuan nga huadhënësit tërheqjen e një oferte të mëparshme shpëtimi përmes një referendumi, por Tsiprasi më vonë u detyrua të pranonte në Bruksel kushtet e huadhënësve, pasi kriza po përkeqësohej edhe më tej.

Institucionet e përfshira në bisedime janë Komisioni Europian, Banka Qendrore Europiane dhe FMN-ja, ashtu sikurse dhe fondi i sigurisë së Eurozonës ESM, apo Mekanizmi për Stabilitetin Europian.

Zyrtarë të BE-së thanë se krerët e misionit të KE-së dhe BQE-së janë tashmë në terren dhe shefi i ri i misionit të FMN-së ka qenë në Athinë prej së premtes, për të zhvilluar bisedime në nivel politik.

Andreeva tha se Greqia kishte dorëzuar “në kohën e duhur dhe përgjithësisht në mënyrë të kënaqshme” premtimet që kishte bërë në samitin e Eurozonës të 13 korrikut, për legjislacione të reja në mënyrë që të mundësohej rinisja e negociatave.

“Priten më shumë reforma nga autoritetet greke për të lejuar një disbursim të shpejtë bazuar mbi ESM-në. Kjo çështje është duke u diskutuar momentalisht”, tha ajo.

Bankat janë rihapur pasi BQE-ja rriti financimin emergjent, por kontrolli ndaj kapitalit mbetet ende në fuqi. Dyshimet mbeten ende, nëse ekonomia greke tashmë e dëmtuar ndjeshëm do të mund të përballojë një tjetër program masash shtrëguese, pas krizës 6-vjeçare që detyroi shkurtimin e prodhimit kombëtar me rreth 25% dhe e çoi papunësinë në 25%.

Top Channel