Paris, policia hap zjarr ndaj një personi. Tentoi të thyente kordonin e sigurisë së Tour de France

26/07/2015 00:00

Policia në Paris ka hapur zjarr ndaj një drejtuesi automjeti i cili tentoi që të thyente kordonin e sigurisë së Tour de France. Ngjarja ndodhi në “Champs-Elysees” rreth orës 08:00 të mëngjesit më kohen lokale.

“Një makinë tentoi që të thyente kordonin, policia bëri gjithçka për ta ndaluar dhe në momentin kur drejtuesi kthehu makinën në drejtim të tyre, ata filluan të qëllonin”, u shpreh një dëshmitar.

Megjithatë, autoritetet franceze kanë bërë të ditur se askush nuk është lënduar nga të shtënat, ndërsa drejtuesi i mjetit vazhdon të kërkohet nga policia, pasi arriti që të largohej nga vendi i ngjarjes.

Drejtori i Tour de France, Thierry Gouvenou është shprehur se nuk ka shumë informacion në lidhje me incidentin, por ka shtuar se asgjë nuk do të pengojë etapën e fundit të këtij kompeticioni.

Në “Champs-Elysees” ku pritet që çiklistët të kalojnë disa orë pas nisjes së garës, tashmë ka forca të shtuara të policisë.

Fakti që ky incident ndodhi disa metra larg Amabsadës amerikane në Paris ka shtuar frikën për ndonjë sulm terrorist, por mediat franceze kanë raportuar se drejtuesi i mjetit mund të ketë qenë nën efektin e alkoolit.

Top Channel