Ekonomia vazhdon në rënie, Greqia merr borxh për të shlyer borxhet dhe humbet nga masat

26/07/2015 00:00

Paradoksi më i madh që diskutohet në dy ditët e fundit në Greqi është fakti se, Athina mori një kredi prej 7 miliardë eurosh në kontekstin e paketës së madhe të ndihmës 86-miliardëshe, për të shlyer 6.7 mld euro detyrime urgjente ndaj huadhënësve, në një moment kur vetëm nga vendosja e kontrollit të kapitaleve dhe mbylljes trejavore të bankave, humbjet që pësoi shteti ishin në mbi 3 miliardë euro.

“Mbyllja e bankave për 3 javë ka kushtuar 3 miliard euro në treg. Shpresoj që t’i përshpejtojmë procedurat e nevojshme, në mënyrë që pas pushimeve të gushtit të mos ‘mbajmë zi’ për më shumë mbyllje biznesesh”, tha Konstandinos Mihalos, kreu i Dhomës së Industrialistëve.

Në mbi 1.5 miliardë euro përllogariten dëmet nga mungesa e lëndëve të para, që vijnë nga eksportet, kur në shumë sektorë ka ulje të xhiros nga 30% deri në 80%. Shitja e makinave dhe sidomos shitja e pjesëve të këmbimit ka rënë me 40% për muajin korrik. 90% e kontratave të shitjeve të shtëpive janë anuluar, ndërsa edhe çmimet po shënojnë rënie nga 12% deri në 18%. Mbi 15% është rënia e xhiros tek industria e ushqimeve. Ndërkohë, për javët në vazhdim, qeveria ka bërë disa lëshime në kontrollin e kapitaleve, për të lehtësuar sidomos bizneset brenda dhe jashtë vendit.

“Sistemi i kontrolleve të kapitalit do të vazhdojë me formën e tanishme. Ne kemi normalizuar plotësisht qasjen e komunitetit të biznesit në mallrat e importit, ndërsa në të njëjtën kohë kemi një funksionim të duhur të sektorit bankar në lidhje me aktivitetet e eksportit”, tha Georgios Stathakis, ministër i Ekonomisë.

Për kompanitë e Marinës tregetare është lejuar, që të tërheqin deri në 50 mijë euro në ditë, ndërsa për tregtarët e tjerë janë krijuar komisione të veçanta brenda bankave, te të cilat duhet të aplikojnë për të tërhequr shumat e nevojshme në bazë të veprimtarisë së tyre tregtare.

Edhe për qytetarët grekë, që duan të udhëtojnë jashtë Greqisë, lejohet tashmë të kenë me vete nga 2 mijë euro për person, ndërsa nga ky ligj përjashtohen ata që jetojnë jashtë vendit. Ndërkohë vazhdon të ekzistojë limiti prej 60 eurosh në ditë ose 420 euro çdo të premte i tërheqjes së parave “cash” nga ATM-të. Sipas parashikimeve të KE-së, vendosja e kontrollit të kapitalit sjell për këtë vit reduktim me 2-4% të PBB-së.

Ndërkohë, burime nga Banka e Greqisë bëjnë me dije se, në muajt e ardhshëm, pas zhvillimit edhe të “stress test”-eve për bankat nga gushit deri në tetor, nuk do të ketë asnjë taksë mbi depozitat, si në rastin e Qipros para dy vitesh, pasi në rastin grek problemi nuk qëndron te sistemi bankar, por tek ai politik.

Edhe kreu i BQE-së, Mario Draghi ka deklaruar se, në rastin e Greqisë përjashtohet taksa mbi depozitat bankare, pasi mbi 95% e tyre janë të siguruara.

Top Channel