Përgjaket BDI-ja, vritet “Komandant Shqiponja”; kandidat për kreun e degës së Kumanovës

23/07/2015 00:00

Një përleshje e armatosur ka ndodhur këtë të enjte, në një nga lokalet e Kumanovës, ku ka mbetur i vrarë – siç mësohet jozyrtarisht, – Xhemail Rexhepi, i njohur edhe si “Komandant Shqiponja”.

Përleshja e armatosur ka ndodhur midis anëtarëve të BDI-së dhe sherri ka nisur për kreun e degës së kësaj partie në Kumanovë.

Në këtë incident kanë ngelur të plagosur edhe dy persona të tjerë. Ish-ushtari i UÇK-së, Shefki Rexhepi, i cili ka qenë bashkë me “Komandant Shqiponjën”, e që është transferuar në qendrën klinike në Shkup, si dhe Gani Demiri.

Incidenti ka ndodhur në një lokal, në afërsi të fakultetit të USHT-së në Kumanovë, ku Rexhepi është dashur të takohet me Bajram Limanin, që të koordinohen lidhur me zgjedhjen e kryetarit të degës së BDI-së në Kumanovë.

Me anë të një njoftimi për shtyp zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Brendshme në Kumanovë, Valentina Nikollovska ka konfirmuar se përleshja e armatosur në Kumanovë ka ndodhur në orën 15:30 në lagjen “Bedinje”.

Ndërkaq, i dyshuari për këtë ngjarje, Bajram Limani, në një intervistë telefonike për mediat në Maqedoni ka thënë se ndjen keqardhje për incidentin, por ka shtuar se ishte në vetëmbrojtje.

“Na kanë sulmuar, ka dashur të nënshkruhen dokumentet, na kanë sulmuar me karrige me grushte, në kemi qenë të detyruar të mbrohemi, shoku im ka gjuajtur në ajër që t’i largojë, por ne me qëllim nuk kemi bëre asgjë, se çfarë ka ndodhur ne nuk e dimë. Me keqardhje po e them se të sulmuar kemi qenë ne. Patjetër organeve të drejtësisë do t’i dorëzohemi dhe nuk i ikim asnjë lloji përgjegjësie”, ka deklaruar Limani.

Ndërkohë, Bashkimi Demokratik për Integrim, me anë të një njoftimi ka shprehur keqardhje për ngjarjen tragjike që ndodhi në Kumanovë.

“BDI njëkohësisht shpreh ngushëllime për familjarët e personit që humbi jetën në këtë ngjarje tragjike,  kurse të lënduarve u dëshiron shërim sa më të shpejt. BDI fton organet kompetente që të zbardhin deri në fund këtë ngjarje tragjike”, thuhet në reagimin e kësaj partie.

Xhemail Rexhepi, i njohur si “Komandant Shqiponja”, ka qenë pretendenti më i përfolur për kryetar Dege i Bashkimit Demokratik për Integrim në Kumanovë, Degë kjo që për shumë se katër muaj, ka mbetur pa kryetar. Në vitin 2001, Rexhepi ka marrë pjesë në luftimet e zhvilluara ne fshatit Sllupçan, ndërsa u bë i njohur në betejën e Mateçit, ku njësiti i tij i quajtur “Shqiponjat”, u dallua për aksione kundër forcave të sigurisë dhe ushtrisë së Maqedonisë.

Top Channel