Javën e ardhshme, Prokuroria maqedonase do të fillojë të marrë deklarata nga të arrestuarit në rastin e Kumanovës. Kështu edhe formalisht do të fillojë procesi gjyqësor kundër të arrestuarve në konfliktin e Kumanovës.

“Marrja e deklaratave nga ana e prokurores do të fillojë të martën. Në fillim nga të arrestuarit në burgun e Shutkës, kurse më pas do të vazhdojë edhe me ata në burgun e Prilepit dhe të Manastirit. Pas kësaj do të përpilohet aktakuza përfundimtare e Prokurorisë, e cila do të na dorëzohet neve, që të mund të përgatisim mbrojtjen”, ka deklaruar për mediat avokati mbrojtës, Naser Raufi.

Ndërkohë, mediat maqedonase janë duke i publikuar bisedat nga “Facebook”-u, për të cilat thuhet se janë zhvilluar mes Bekir Asanit, kryetar të degës së BDI-së në Çair të Shkupit dhe Mirsad Ndrecaj e Beg Rizajt, të cilët humbën jetën në konfliktin e Kumanovës. 

Sipas mediave maqedonase, këto biseda janë zhvilluar disa ditë para ngjarjeve të Kumanovës dhe ato shpalosin qëllimet dhe afërsinë miqësore mes bashkëbiseduesve.

Përndryshe në konfliktin e Kumanovës humbën jetën tetë policë dhe dhjetë pjesëtarë të grupit të armatosur, ndërsa mbetën të plagosur dhjetëra të tjerë. 30 prej grupit të armatosur u dorëzuan.

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë, në deklaratën e 9 majit pohoi se grupi i organizuar kishte për qëllim sulme terroriste ndaj institucioneve të Maqedonisë.

Ndërkohë, në opinionin maqedonas nuk ishin të paktë ata që menduan se konflikti i Kumanovës ishte bërë me urdhër të regjimit VMRO-BDI. Sipas tyre, ky konflikt i paramenduar, duhej të kalonte pa viktima dhe kishte për qëllim ta tërhiqte vemnedjen e pubikut nga bisedat e përgjuara telefonike, që i shpaloste opozita maqedonase, e të cilat dëshmonin veprimtarin kriminale të disa funksionarëve të Maqedonisë.

Top Channel