Etapa e 17 e Turit fitohet nga Geschke. Froome në krye, Contador bie

22/07/2015 00:00

Simon Geschke, 29-vjeçari gjerman, ka fituar etapën e 17 të Turit të Francës, të gjatë 161 km me nisje nga Digne les Bains e me destinacion përfundimtar Pra Loup-in. Për më tepër, suksesin e siguroi thuajse 50 km nga mbërritja.

Mes atyre që luftojnë për renditjen e përgjithshme, Nairo Quintana rezultoi më i suksesshmi, ndërkohë që Alberto Contador “vuan” një diferencë prej 2 minutash e 17 sekondash për shkak rrëzimi.

Fitorja në “Giant Alpecin” rezulton e para për gjermanin 29-vjeçar në një ngjarje kaq madhore sa Turi i Francës, e këtë gjë e arriti duke e nisur i vetëm ngjitjen e fraksionit “col Allos” mbi Alpe.

Genschke arriti të shkëputej nga grupi kryesues menjëherë pas suksesit në “Beauvezer” dhe la pas vetes Andreë Talansky dhe Rigoberto Uran. I katërti u rendit Thibaut Pinot, protagonist i një rrëshkitjeje në tatëpjetë në “col Allos” kur ishte i dyti dhe kur preku asfaltin me pedalen e biçikletës. U nis menjëherë pa dëmtime, por humbi dy pozicione.

Beteja e vërtetë mes të mëdhenjve nisi në ngjitje, me një imponim të fuqishëm të Michele Scarponi, ndërkohë që në zbritje shquheshin një grup i përbërë nga Froome, Quintana, Valverde, Nibali dhe Alberto Contador, teksa ky i fundit u rrëzua, dëmtoi këmbën e majtë dhe humbi 2 minuta e 17 sekonda. Nibali, Froome, Quintana dhe Valverde u ngjitën rregullisht deri në kilometrin e fundit, në “Pra Loup”, por këtu kolumbiani i Movistar parakaloi kapitenin e Sky.

Në renditjen e përgjithshme, Froome ruan fanelën e verdhë, ndërsa Quintana e sheh veten tashmë vetëm 3 minuta e 10 sekonda pas tij. Nibali zbret edhe me 15 sekonda të tjera, por ngjitet në renditje duke kapur vendin e 7 me 8 minuta e 4 sekonda vonesë nga i pari.

Etapa e 18 e Turit të Francës, nga Gap deri në Saint Jean de Maurienne, e gjatë 186,5 km është e përbërë nga 7 fraksione ngjitjeje. Në 13 km e fundit rruga nis të dredhojë së tepërmi e këtu mund të rrezikojnë ndjeshëm çiklistët, veçanërisht atë që mban fanelën e verdhë.

Top Channel