Botërori 2018, Shën Peterburgu përgatit terrenin

22/07/2015 00:00

Shën Peterburgu u kthye në qytetin e radhës në Rusi që nis përgatitjet për të implementuar projektet sportive që do t’i paraprijnë botërorit të futbollit në vitin 2018.

Me një stadium të ri dhe unik të projektuar në vendin e quajtur Ishulli Krestovski, autoritetet shpresojnë që kjo arenë 69 mijë vendëshe, të jetë kulmi i turneut që do mbledhë më të fortët e globit pas 3 vjetësh.

Stadiumi i Shën Peterburgut, që pritet të jetë një prej më të kushtueshmëve në botë, do të jetë gjithashtu vendi i zhvillimit të ndeshjeve për skuadrën e Zenitit.

Por ashtu si në botërorin e Brazilit vitin e kaluar, këto projekte me vlerë miliona dollarë, përndiqen nga skandale korruptive.

Si të mos mjaftonin rastet korruptive, në Rusi një problem emergjent është racizmi ndaj lojtarëve me ngjyrë dhe një gjë të tillë e konfirmoi dhe argjentinasi Ezekiel Garai që luan me Zenitin.

“Nuk ndodh çdo ditë që të organizosh botërorin dhe për këtë Rusia duhet të japë maksimumin për çdo tifoz, pavarësisht kombësisë, apo përkatësisë. Duhet të tregojë respekt”, tha Garai.

Ndërkohë sulmuesi Hulk denoncoi më parë koret raciste që imitojnë majmunët në gati çdo ndeshje në Rusi.

Top Channel