Milsami, pengesa e Skënderbeut drejt fazës në grupe

22/07/2015 00:00

Skënderbeu ka arritur të kalojë në turin e tretë eliminator të Ligës së Kampioneve pas një ndeshjeje të çmendur në Belfast, ku humbi 3-2 ndaj Crusader.

Korçarët, që u penalizuan nga dalja e hershme me karton të kuq e Arapit, kalojnë më tej falë suksesit në sfidën e parë 4-1, ndërsa nga kjo arritje forcojnë ndjeshëm dhe financat.

Falë bonuseve të majme të UEFA-s, që ka shtuar çekun e majmë e milionave për ekipet pjesëmarrëse në “kupën me veshë të mëdhenj”, edhe “Ujqërit e Dëborës” kanë siguruar deri më tani rreth 1 milion Euro dhe nëse kalon edhe turin e tretë, formacioni i trajnerit Mirel Josa do të trefishojë fitimet.

Edhe në një rast të keq, që mund të eliminohet nga kundërshtarë me potencial më të madh, Skënderbeu do të kualifikohej direkt për në fazën e grupeve të Europa Ligës. Kështu skenarët e rinj vendosin kampionët e Shqipërisë, fillimisht me turin e tretë përballë moldavëve të Milsamit, dhe nëse do të ketë sukses, “Play off” dhe 3 milionë Euro në total për Champions.

Rivali i ardhshëm i Skënderbeut, ekipi kampion i Moldavisë quhet Milsami dhe ka vetëm 10 vjet histori, por ka arritur të fitojë 4 trofe dhe ka eliminuar një ekip të fortë si Ludogorets.

Top Channel