Parlamenti grek pritet të votojë këtë të mërkurë mbi një paketë të dytë reformash strukturore të kërkuara nga huadhënësit ndërkombëtarë për të siguruar mbështetjen e tyre për paketën e re të ndihmës financiare.

Nëse paketa e dytë e reformave do të kalohet nga ana e deputetëve grekë, atëherë Athina mund të nisë negociatat për paketën e 86 miliardë eurove hua nga kreditorët e saj.

Kryeministri grek, Aleksis Tsipras, ka kërkuar votën e deputetëve të tij duke u thënë se grekët kanë varur të gjitha shpresat e tyre në qëndrimin në Eurozonë.

Megjithatë, pavarësisht kundërshtimeve që paketa mund të hasë në radhët e vetë deputetëve të Syriza-s, ajo pritet të kalojë me ndihmën e partive opozitare.

Por Tsiprasit i nevojitet shmangia e rebelimit në radhët e partisë që drejton. 32 nga 149 deputetët e kësaj partie, përfshirë këtu edhe ish-ministrin Yanis Varoufakis, votuan kundër paketës së parë të reformave.

“Deri më tani kam parë reagime, kam lexuar e dëgjuar deklarata heroike, por nuk kam dëgjuar asnjë propozim, asnjë alternativë. Syriza duhet të reflektojë shqetësimet dhe pritshmëritë e qytetarëve që kanë varur shpresat tek ne”, u tha Tsipras deputetëve të Syriza-s mbrëmjen e së martës.

Javën e kaluar u votuan një sërë masash shtrënguese të kërkuara nga huadhënësit, një miksim reformash ekonomike dhe shkurtimesh buxhetore, si pararojë e nisjes së bisedimeve për lëvrimin e paketës së tretë të huasë.

Propozimet që do të shqyrtohen këtë të mërkurë janë ndryshe, të një natyre më strukturore, një kod i mbrojtjes civile që synon përshpejtimin e procedurave gjyqësore duke reduktuar ndjeshëm kostot dhe adoptimi i një direktive të Bashkimit Europian për mbrojtjen e depozitave të qytetarëve me më pak 100 mijë euro.

Në fundjavë u përfol se bashkë me këto do të kalonte edhe një ligj për heqjen e pensionit të parakohshëm dhe rritjen e taksave për fermerët, por këto propozime u shtynë për në muajin gusht.

Shqyrtimi në Parlament i kësaj pakete pritet të shoqërohet me protesta në rrugët e Athinës. Unioni i punonjësve të sektorit publik ka bërë thirrje për t’u mbledhur para godinës së ligjvënësve në orët e mbrëmjes.

Ndërkohë, i pyetur nëse kërcënimi i një “Grexit” ka kaluar, Komisioneri i Çështjeve Ekonomike në Bashkimin Europian, Pierre Moscovici tha të martën se “një hap i madh përpara është bërë në këtë drejtim”.

Fondi Monetar Ndërkombëtar konfirmoi të hënën se Greqia shleu detyrimin e prapambetur prej 2.05 miliardë euro dhe tashmë nuk ndodhej më në listën e vendeve ‘pranë falimentimit’.

Afati tjetër për Greqinë është 20 gushti, kur duhet të paguajë 3.2 miliardë euro në llogaritë e Bankës Qendrore Europiane, ndjekur më pas me shtatorin, ku duhet të derdhë 1.5 miliardë euro për llogari të FMN-së.

Top Channel