“Sky” publikon të dhënat e kryesuesit; Froome: Pse të japim vetëm ne llogari?

21/07/2015 00:00

Për herë të parë, skuadra “Sky” ka publikuar të dhënat e performancave të një prej çiklistëve të saj.

Pas polemikave të ditëve të fundit, që lindën pas fitores së Chris Froome në zonën malore të Pirenejve, La Pierre Saint Martin, si dhe akuzave të televizioneve franceze, më vetëm një orë para mesditës së të martës, Tim Kerrison, përgjegjës i performancës në stafin e skuadrës “Sky”, nisi të fliste me shifra e shifra…

“Pasi kishin kaluar 15,3 km nga nisja e malores, Froom arriti në 41 minuta e 28 sekonda, me një fuqi mesatare prej 415 vatësh dhe një shpejtësi mesatare në ngjitje (VAM) prej 1602 metra në orë. Chris peshon 67,5 kg he ka shfaqur një forcë mesatare prej 5,78 vat për kilogram. Ka përdorur pajisjet 52/38 përpara dhe 11/28 pas. Ritmi mesatar i pedalimit ka qenë 97 në minutë, ndërkohë që ritmi kardiak mesatarisht ka qenë në 158 rrahje në minutë, kurse ai maksimali në 174 rrahje në minutë. Fuqia maksimale e shfaqur nga Froome në ngjitje ka qenë 929 vat”.

Të dielën, Pierre Sallet, një ekspert andidopingu dhe konsulent i ASO-së, kishte thënë për një televizion francez se “Froome kishte shfaqur një fuqi prej 7,04 vat për kilogram, e për këtë arsye duhej të jepte shpjegime. Performancat e tij nuk janë fiziologjikisht të shpjegueshme”.

Po detajet kanë vijuar edhe më tej. Gjithsesi një ndalesë është bërë, sepse çiklizmi nuk mund të reduktohet vetëm në argumentimin e shifrave apo në polemikat që lindin mbi to. Duhet analizuar edhe rruga, taktika dhe personi fizikisht.

“Pas mesazheve mbështetëse që kma marrë nga Proudhomme dhe çiklistë të tjerë, atmosfera ka ndryshuar. Ndihem shumë më i fortë, në një kohë kur mbeten edhe 4 etapa për të përfunduar këtë Tur, – shpjegon Froome. – Por, përse duhej të jepnim të dhëna vetëm ne dhe asnjë prej rivalëve të tjerë për klasifikimin?”.

Dave Brailsford, drejtuesi kryesor i skuadrës “Sky”, është shfaqur “i keqardhur për trajtimin e televizionit francez. Nuk e di nëse do të mund t’i shohin të dhënat, por kurrë më parë nuk kam vërejtur diçka të tillë. Jam ndier i irrituar, sepse ato të dhëna të televizion nuk ishin të sakta. Megjithatë, ne punojmë gjithmonë me transparencë maksimale”.

Dita e sotme, në fakt, është e dyta dhe e fundit e pushimit, pasi që nga e mërkura, Turi i Francës do të vijojë me etapën “Digne Les Bains – Pra Loup”, e gjatë 161 km, e para e etapave alpine me përfundim në ngjitje.

Top Channel