Maqedoni, më 13 gusht publikohet raporti i implementimit të “Ohrit”

21/07/2015 00:00

Raporti për realizimin e “Marrëveshjes së Ohrit”, siç bëjnë të ditur nga Sekretariati për implementimin e kësaj marrëveshjeje, do të publikohet më 13 gusht. Të njëjtat burime pohojnë për mediet se, ky raport nuk është publikuar deri më tani për shkak të krizës politike dhe nga frika se, ai do të mund ta tensionojë situatën politike në vend.

Sipas paralajmërimeve ky raport, që deri më tani është fshehur nga publiku, nuk do të përmbajë shifra konkrete për nivelin e deritanishëm të realizimit të “Marrëveshjes së Ohrit”, por do të ofrojë rekomandime sesi duhet të implementohet në të ardhmen kjo marrëveshje.

Edhe më herët janë mbajtur tryeza të ndryshme, ku janë dhënë sugjerime sesi të implementohen në të ardhmen detyrimet e “Marrëveshjes së Ohrit”, por këto rekomandime kanë rezultuar të kota. Madje, ekspertë maqedonas thonë se, debatet publike rreth implementimit të “Marrëveshjes së Ohrit” kanë për qëllim të fshehin, sa të jetë e mundur, dështimin e BDI-së për të implementuar këtë marrëveshje.

Ndërkohë ish-deputeti i BDI-së, Hajrulla Misini pohon për mediet se, “fshehja” e deritanishme e raportit për implementimin e “Marrëveshjes së Ohrit” më së shumti bëhet për shkak të pakënaqësive brenda vetë BDI-së.

“Mospublikimi i këtij raporti nuk është për shkak të krizës politike dhe frikës sesi do të reagojnë partitë e tjera, por për shkak të reagimeve brenda BDI-së ndaj këtij raporti. Kjo, sepse 14 vite pas nënshkrimit të saj, niveli i implementimit të ‘Marrëveshjes së Ohrit’ ende është shumë i ulët”, pohon Misini.

Analisti Arsim Sinani thotë për mediet se, implementimi i “Marrëveshjes së Ohrit” është një histori më vete, një histori e dhimbshme e tranzicionit në Maqedoni.

“Mendoj se ‘Marrëveshja e Ohrit’ nuk është implementuar në pikat kryesore të saj. Prandaj, për sa kohë garantuesit amerikanë dhe europianë nuk vendosin një ekip pune, që do të kryente një hetim të mirëfilltë se deri ku është implementuar kjo marrëveshje, ‘Marrëveshja e Ohrit’ do të ketë të njëjtin fat si kali i ‘Shemës’”, ka deklaruar për mediët Sinani, duke aluduar në një nga bisedat e përgjuara telefonike, që publikoi Zaev, e ku dëgjohen kryesuesit e BDI-së sesi tallen me një funksionar të partisë së tyre, duke e krahasuar me ‘kalin e Shemës’.

Top Channel