Maqedoni, vijojnë rrahjet e gazetarëve kritikë të qeverisë

21/07/2015 00:00

Dhunimi dhe rrahja e gazetarëve, të cilët kritikojnë qeverinë e VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së, vijon ende në Maqedoni. Mbrëmjen e së hënës, ka qenë gazetari dhe pronari i portalit informativ, “Dokaz.mk”, Marjan Stamenkovski, ai që ka pësuar dhunë nga disa agresorë të panjohur, të cilët e kanë goditur me shufra hekuri, duke i shkaktuar dëndime të rënda trupore.

“Do të më operojnë. Më kanë rrahur keq, gjë që e dëshmojnë kamerat e sigurisë, që gjenden në ndërtesën ku jetoj. Nga xhirimet shihet mirë kush janë sulmuesit, të gjithë janë të afërt me pushtetin dhe kanë dosje kriminale”, ka deklaruar për mediet, Stamenkovski.

Portali informativ “Dokaz.mk” njihet si një ndër të paktët, që kritikojnë jo vetëm VMRO-DPMNE-në qeveritare, por edhe BDI-në. Kjo, ndryshe nga pjesa më e madhe e medieve maqedonase që kritikojnë për gjendjen e vështirë në Maqedoni vetëm VMRO-në, duke anashkaluar partnerin e saj shqiptar, BDI-në.

Pas këtyre ngjarjeve, liria e medieve po shënon momentet më kritike në historinë e Maqedonisë. Gazetarët atje kanë kërkuar disa herë me radhë mbrojtje nga diplomatët e huaj në Shkup dhe nga institucionet ndërkombëtare. Vetëm disa ditë më parë, zëvendëskryeministri në qeverinë e Maqedonisë, Peshevski, sulmoi fizikisht gazetarin Sashe Ivanovski të “Politiko”.

Top Channel