Kosova për herë të parë në Botërorin e Notit; kontestime për përzgjedhjen

19/07/2015 00:00

Pak ditë para Kampionatit Botëror të notit, ku Kosova për herë të parë ka të drejtën e pjesëmarrjes, kanë filluar pakënaqësi lidhur me përzgjedhjen e trajnerit Enver Harjedini.

Kryetari i klubit të notit “Step”,  Agron Zeqiri, pretendon se gjatë përzgjedhjes së 4 garuesve të Kosovës, janë bërë shkelje ndaj sportistëve. Në rastin konkret notari Besart Shala, 6 herë kampion i Kosovës dhe sipas tij notari i dytë më i mirë në Kosovë, nuk është përzgjedhur nga Hajredini.

Klubi pretendon se notari i dytë i përzgjedhur Meriton Veliu, ka rreth 100 pikë FINA më pak se Besart Shala.

“Në të gjitha përballjet që ka pasur Besart Shala në edicionet e garave të vitit 2015, ai udhëheq me rezultat 7:1 dhe bindshëm në të gjitha disiplinat, e ka të humbur vetëm një garë 50 metra delfin, me një diferencë prej 1 FINA ose një të qindtën e sekondit, mirëpo noti është vet sport ku me njësi matëse vendoset kush është më i miri. Në këtë disiplinë ai ka qenë më i mirë, por në të gjitha disiplinat e tjera, në 7 disiplina të tjera dhe në 7 përballje janë rezultatet, proceset zyrtare të garave me të cilat dëshmohet se Besart Shala ka qenë sportist më i mirë”, ka thënë  Zeqiri, kryetar i klubit të notit “STEP”.

Humbja e vetme e notarit Besart Shala për një të qindtën e sekondit përballë Meriton Veliut, në stilin delfin 50 m, ka bërë që ai të mos përzgjidhet nga Federata e Notit të Kosovës.

Kryetari i FNK-së Enver Hajredini, njëherësh trajner, tha se Meriton Veliu është notar i dëshmuar në stilin 50 m delfin.

“Meritoni noton delfin dhe në krol, 50 m krol, 50 m delfin, ku është më i mirë në stilin delfin, kjo që është vërtetuar në garën e fundit në Mal të Zi. Faktet janë, argumentet janë. Unë nuk kam asgjë, më së paku ndaj Besart Shalës sepse vërtetë e kam pasur një notar të shkëlqyeshëm qoftë me sjellje, qoftë me të gjitha. Unë mendoj që nuk është bërë asgjë, as nuk do të bëhet, mos të mendoj dikush që do ta bëjmë për shembull një notar ose një notare ta zgjedhim për hir të dikujt”, tha Hajredini.

Lidhur me këtë, notari Besart Shala ka dërguar ankesë me shkrim në Arbitrazhin Sportiv pran Komitetit Olimpik të Kosovës, duke kërkuar sqarim për, siç shprehet ai, anashkalimin e tij në përfshirjen e përfaqësueses së Kosovës.

Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, i kontaktuar nga Top Channel tha se ai vetë nuk e ka parë ankesën, duke shtuar se një ankesë e tillë së pari duhet t’i drejtohet federatës përkatëse e më pas Komitetit Olimpik.

Kosova do të marrë pjesë në kampionatin botëror në Kazan të Rusisë në fund të korrikut me 4 notarë, dy meshkuj dhe 2 femra, me të drejtë për të notuar  vetëm në 50-metërsh. Ndërsa Rusia ka kërkuar që sportistët pjesëmarrës të pajisen me viza në ambasadën ruse në Beograd.

Rezultatet e këtyre garave, do të jenë vendimtare për notarët e Kosovës nëse mund të marrin pjesë ose jo në lojërat olimpike Rio 2016.

Top Channel