Brazil, legjenda Pele shtrohet sërish në spital

18/07/2015 00:00

Legjenda e futbollit brazilian, Pele, është shtruar sërish për trajtim në spital, dy muaj pasi iu nënshtrua një operacioni në prostatë.

Mediat lokale raportojnë se 74-vjeçari vuante nga një nerv i bllokuar dhe në të kaluarën ka pasur një seri ndërhyrjes kirurgjike në spitalin “Albert Einstein” të Sao Paulos.

Pele, 3 herë fitues i Kupës së Botës, tetë muaj më parë u mjekua për një infeksion urinor, pasiu iu hoqën gurët në veshka. Aktualisht ai ka vetëm një veshkë, pasi njëra iu hoq pak kohë pasi përfundoi karierën sportive.

Sipas raportimeve të mediave braziliane, ai pritet të dalë nga spitali në ditët e ardhshme. Mirtes Bogea, zëdhënëse shtypi “Albert Einstein”, tha se nuk i lejohej të thoshte se kur Pele u rishtrua në spital dhe pse.

Pele, i cili u emërua nga FIFA si Lojtari i Shekullit, arriti një rekord botëror me 1.281 gola të shënuar në 1.363 ndeshje gjatë karierës së tij 21-vjeçare, përfshirë këtu 77 gola në 91 ndeshje të kombëtares braziliane.

Në Kupën e Botës ai luajti në 14 ndeshje, shënoi 12 gola dhe u vlerësua me Topin e Artë si lojtari më i mirë i turneut të vitit 1970.

Top Channel