Të mërkurën miratohet ligji për ndërprerjen e procesit të lustrimit

18/07/2015 00:00

Deputetët e VMRO-së dhe BDI-së  kanë nënshkruar Propozim-ligjin për shfuqizimin e ligjit për lustrim, i cili ka hyrë në procedurë parlamentare dhe është vënë në rend të ditës për në seancën e 22 korrikut.

Lustrimi përfundimisht do të ndërpritet më 1 shtator të këtij viti dhe me të do të ndërpriten edhe procedurat dhe lëndët që nuk kanë arritur të procedohen nga Komisioni deri në atë periudhë. Komisioni për verifikimin e fakteve do të veprojë deri sa lëndët e shqyrtuara të marrin verdiktin final edhe nga instancat e tjera gjyqësore, dhe pas kësaj me një vendim të veçantë në Kuvend do të përfundojë edhe mandati i lustratorëve.

Me këto zgjidhje ligjore parashihet që ndalesa për kryerjen e funksionit publik për personat e lustruar deri tani, të vlejë vetëm 5 vjet nga dita e fuqizimit të vendimit të Komisionit për lustrim. Pas kalimit të këtyre 5 viteve, këta persona të shpallur si ish bashkëpunëtor të shërbimit sekret, do rifitojnë të drejtën për të ushtruar detyra dhe funksione publike. 
 
Ndërkohë, propozuesi dhe hartuesi i ligjit të parë për lustrim, Stojan Andov, ka pohuar se sjellja e Ligjit për ndërpreje të procesit të lustrimit është vetëm zyrtarizim i dështimit të këtij procesi.  Deri më tani, në Maqedoni janë lustruar gjithsej 199 persona, ndërsa 35 prej tyre nuk janë të gjallë.

Top Channel