Varoufakis: Programi i reformave do të dështojë. As vetë Tsipras s’e beson

18/07/2015 00:00

Ish-ministri grek i Financave paralajmëroi se reformat e propozuara nga qeveria Tsipras për marrjen e paketës së tretë të ndihmës financiare nga huadhënësit ndërkombëtarë, do të dështojnë.

Në një intervistë për BBC, Yanis Varoufakis tha se Greqia është subjekt i një programi që do të hyjë në histori si katastrofa më e madhe e parë ndonjëherë në menaxhimin makroekonomik.

“Ky program do të dështojë, pavarësisht se kush do ta zbatojë atë”, tha Varoufakis. I pyetur se sa kohë do të duhet për ta kuptuar këtë ai u përgjigj: Ka dështuar që tani.

Varoufakis u dorëhoq pas referendumit të 5 korrikut, një veprim që u vlerësua si protestë ndaj Eurozonës dhe homologëve të tij të Bashkimit Europian, me të cilët u përplas vazhdimisht gjatë bisedimeve për krizën e borxhit.

Për të, kryeministri Alexis Tsipras nuk beson tek paketa e re e borxhit, por nuk kishte zgjidhje tjetër përveçse ta nënshkruante atë.

“Na u dhanë dy mundësi; ekzekutimi dhe kapitullimi. Ai vendosi kapitullimin si strategji të fundit”, deklaroi Varoufakis.

Brenda të mërkurës së ardhshme, Parlamenti grek do të duhet të miratojë reformat e kërkuara nga huadhënësit ndërkombëtare, reforma që parashikojnë të tjera masa shtrënguese për financat e vendit dhe që janë kusht për nisjen e lëvrimit të huasë prej 86 miliardë eurosh.

Të premten Parlamenti gjerman i dha dritën jeshile qeverisë së Angela Merkel për të nisur bisedimet mbi detajet e marrëveshjes së arritur në parim. Bisedimet priten të jenë të vështira dhe këtë e paralajmëroi edhe kreu i Eurogrupit, Jeroen Dijsselbloem, kur tha se pret që ato të zgjasin rreth 1 muaj.

Po të premten, kryeministri Tsipras riformatoi kabinetin e tij duke shkarkuar tre ministra që nuk mbështeten në votimin parlamentar masat e propozuara nga ai, si kusht për marrjen e paketës së ndihmës prej 86 miliardë euro nga huadhënësit, lëvizje që është komentuar si spastrim  përfaqësuesve të Plaformës Ekstreme të Syrizës nga qeveria.

Dhjetë portofole qeveritare ndryshohen ose zëvendësohen me futjen e shtatë anëtarëve të rinj në qeveri, ndërsa komunikimi i ndryshimeve është bërë për herë të parë në historinë greke të pasluftës me komunikatë për shtyp, për shkak të situatës tepër kritike në vend, që kanë shkaktuar mbi 50 vatrat e zjarrit në të gjithë Greqinë.

Konkretisht Tsipras ka zëvendësuar zëdhënësin e qeverisë, që është emëruar si një prej tre përfaqësuesve të grupit parlamentar, me zonjën Olga Gerovasili. Në Ministrinë e Reformave Administrative është emëruar ministër, Plotësues Kristoforos Vernadhakis në vend të Giorgos Katrougalos, që është transferuar në Ministrinë e Punës.Trifon Aleksiadhis merr përsipër postin e rëndësishëm si ministër Plotësues në Ministrinë e Financave, përgjegjës për të ardhurat e shtetit dhe mekanizmin e taksave.

Ministër i Rindërtimit Produktiv, Energjisë dhe Mjedisit emërohet  ish-ministri i Punës, Panos Skourletis , zv/ministër i Brendshëm,  Pavlos Polakis, zv/ministër i Punës, Pavlos Haikalis. Bien në sy dy emërimet në Ministrinë e Jashtme, ai ministres Plotësuese për Çështjet Europiane, Sia Anagnostopoulou dhe i zv/ministrit të ri, Joannis Amanatidis.

Është themeluar edhe Komisioni i Posaçëm për luftën ndaj korrupsionit nën drejtimin e ministrit të Shtetit Panajotis Nikoloudis, që përfshin edhe katër ministra të tjerë.

Tashmë në qeverinë Tsipras numërohen 6 anëtarë nga partia e vogël e djathtë e koalicionit, Grekët e Pavarur, që fiton një post më tepër. Riformatimi i kabinetit është bërë në të njëjtën ditë kur Mekanizmi i Stabilitetit Financiar të Europës miratoi kredinë afatshkurtër prej 7.16 mld eurosh për Athinën, që do e ndihmojnë për të shlyer detyrimet emergjente në këto dy muaj, si dhe për të siguruar likuiditetin e sistemit bankar.

Top Channel