Tsipras ndryshon qeverinë. Shkarkon 3 ministra që nuk e mbështeten paketën e ndihmës

17/07/2015 00:00

Pothuajse gjashtë muaj pas ardhjes në fuqi të Radikalëve të Majtë, kryeministri Tsipras bën riformatimin e parë të kabinetit të tij duke shkarkuar tre ministra që nuk mbështeten në votimin parlamentar masat e propozuara nga ai, si kusht për marrjen e paketës së ndihmës prej 86 mld euro nga huadhënësit, lëvizje që është komentuar si spastrim  përfaqësuesve të Plaformës Ekstreme të Syrizës nga qeveria.

Dhjetë portofole qeveritare ndryshohen ose zëvendësohen me futjen e shtatë anëterëve të rinj në qeveri, ndërsa komunikimi i ndryshimeve është bërë për herë të parë në historinë greke të pasluftës me komunikatë për shtyp, për shkak të situatës tepër kritike në vend, që kanë shkaktuar mbi 50 vatrat e zjarrit në të gjithë Greqinë.

Konkretisht Tsipras ka zëvendësuar zëdhënësin e qeverisë, që është emëruar si një prej tre përfaqësuesve të grupit parlamentar, me zonjën Olga Gerovasili. Në Ministrinë e Reformave Administrative është emëruar ministër, Plotësues Kristoforos Vernadhakis në vend të Giorgos Katrougalos, që është transferuar në Ministrinë e Punës.Trifon Aleksiadhis merr përsipër postin e rëndësishëm si ministër Plotësues në Ministrinë e Financave, përgjegjës për të ardhurat e shtetit dhe mekanizmin e taksave.

Ministër i Rindërtimit Produktiv, Energjisë dhe Mjedisit emërohet  ish-ministri i Punës, Panos Skourletis , zv/ministër i Brendshëm,  Pavlos Polakis, zv/ministër i Punës, Pavlos Haikalis. Bien në sy dy emërimet në Ministrinë e Jashtme, ai ministres Plotësuese për Çështjet Europiane, Sia Anagnostopoulou dhe i zv/ministrit të ri, Joannis Amanatidis.

Me vendim të kryeministrit Tsipras themelohet Komisioni i Posaçëm për luftën ndaj korrupsionit nën drejtimin e ministrit të Shtetit Panajotis Nikoloudis, që përfshin edhe katër ministra të tjerë.

Tashmë në qeverinë Tsipras numërohen 6 anëtarë nga partia e vogël e djathtë e koalicionit, Grekët e Pavarur, që fiton një post më tepër. Riformatimi i kabinetit është bërë në të njëjtën dite kur Parlamenti gjerman me shumicë votash i ka dhënë të drejtën qeverisë së kancelares Merkel të negociojë për paketën e shpëtimit të Greqisë, ndërsa edhe Mekanizmi i Stabilitetit Financiar të Europës miratoi kredinë afatshkurtër prej 7.16 mld eurosh për Athinën, që do e ndihmojnë për të shlyer detyrimet emergjente në këto dy muaj, si dhe për të siguruar likuiditetin e sistemit bankar.

Betimi i anëtarëve të rinj të qeverisë do të bëhet mesidtën e së shtunës.

Top Channel