Nga aeroportet tek autostradat, nga portet tek rrjetet e shpërndarjes së energjisë elektrike: marrëveshja me Eurozonën e detyron qeverinë greke të nxjerrë në shitje asete publike për të arritur kësisoj të shlyejë detyrimet ndaj ESM-së, mekanizmit europian te stabilitetit apo e thënë ndryshe, fondit të shpëtimit.

E në mesin e pronave shtetërore që shpresohet të sjellin para sa për të hequr një pjesë të huasë janë dhe ishujt, një treg oreksndjellës shkruan Corriere della Sera, i cili i rezervohet sidoqoftë vetëm atyre që ua mban xhepi të paguajnë miliona. 

Një pjesë mund të nxirren në shitje nga privatët që do të përballen me një rritje të konsiderueshme të taksave mbi pronat e paluajtshme, e mbase, të njëjtën gjë do të bëjë dhe shteti grek duke likujduar disa prej perlave të Egjeut.

Ishulli i parë i shitur në këtë mënyrë, kujton e përditshmja italiane, ishte Skorpiosi mitik, të cilin e bleu në 2010-tën për 158 milione dollare 25-vjeçarja Ekaterina Rybolovleva, trashëgimtare e oligarkut rus Dmitry Rybolovlev.

Sot, çmimet e ishujve janë ulur mjaft në krahasim me nivelet e përpara krizës. Portali “Private Islands Online”, i specializuar pikërisht në ishujt e nxjerrë në shitje nëpër botë, ka hedhur në internet një lloj katalogu të ishujve grekë të kostove të ndryshme. Ndër me “ekonomikët” renditen:

– Gaia, 3 milionë euro, e quajnë ndryshe dhe “Parku i lojërave i milionerëve”, kushton më pak se një shtëpi në zonën e pasur rezidenciale të Londrës;

– Kythnos, 5 milionë euro, i ndarë në 25 njësi më të vogla, një ore larg me traget nga Athina;

– Nissos Sofia, 5, 5 milionë euro, një territor privat që ndalon ndërtimet dhe kalimin e motoskafeve apo jahteve pranë brigjeve të tij; ofron me pak fjalë, një parajsë të vërtetë qetësie;

– Kardiotissa, 6,5 milionë euro, me 1,1 kilometrat e saj katrorë, është ishulli më i madh në shitje i detit Egje: arrihet shumë lehtë, si me motobarkë, ashtu edhe nga toka, nuk duhen veçse 10 minuta. Perfekte për zhytje, për sporte aventure, për varka me vela shpjegohet në njoftim; 

– Nafsika, 6,9 milione euro, gati 5 kilometra katrorë, një ishull në detin Jon me një reliev tepër shkëmbor, por një panoramë fantastike;

-Shën Thomai, 15 milionë euro, 1,2 km katrorë, 45 minuta larg Athinës;

Çmimet nisin e rriten me ishullin e veriut të Egjeut, 35 milionë euro, mund të shkohet për gjysëm ore me motoskaf nga Athina, Dolicha-n, 5,4 km katrore, 40 milionë euro ku nuk ka ndërtesa, por ku gjen mbi 4.000 pemë ulliri apo Omforin, në detin Jon, 50 milionë euro, 2 kilometra i gjatë e 2 i gjerë, me mundësinë për të ndërtuar në 20% të sipërfaqes.

Top Channel