Pasojat e Grexit, largimi i Greqisë nga Eurozona dëmton të gjithë

16/07/2015 00:00

Dalja e Greqisë nga Eurozona nuk rrethohej vetëm nga frika ekonomike. Kërkimi me shumë mund i një marrëveshjeje, siç pohojnë ekspertët, kishte në themel edhe shqetësime të rëndësishme strategjike.

Shkëputja e një vendi nga zona e monedhës së përbashkët e ndoshta më pas dhe nga vetë Bashkimi Europian, do të kishte sjellë ndërlikime më të gjera.

Në sytë e shumë njerëzve, një zhvillim i tillë mund të nënkuptonte se BE-ja jo vetëm nuk është rruga e duhur për një bashkim monetar, por është edhe një projekt politik që nuk funksionon.

Ujdia nuk ishte me leverdi për Greqinë, megjithatë skenari do të kishte qenë i dëmshëm jo vetëm për grekët dhe Europën, por do të bartte pasoja edhe në spektrin gjeopolitik e do të sillte trazira sociale.

Kryeministri i ri grek ka bërë hapa afrimi me Rusinë. Presidenti rus, siç njoftohet, është përpjekur ta bindë Greqinë t’i vërë veton zgjatjes së afatit të sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë për shkak të Ukrainës.

Megjithatë, nuk janë të paktë ata që mendojnë se Moska, edhe pse një partner i leverdisshëm tregtar, nuk është modeli që Athina duhet të ndjekë.

Por a është shmangur Grexi-it përfundimisht? Në Gjermani ka ende skepticizëm përsa i takon të gjithë odisesë së borxhit grek.

Presidenti i Shoqatës së Bizneseve Familjare, Lutz Goebel i tha agjencisë së lajmeve “Reuters” se marrëveshja është thjesht një shtyrje e insolvencës dhe se Greqia nuk do të mund t’i shlyejë kurrë borxhet e saj.

“Janë vetem ca para të tjera që u hodhën dëm në zjarr”, mendon Goebel. Barra kryesore e kësaj marrëveshjeje rëndon mbi taksapaguesit evropianë, të cilët, sic thotë ai, u detyruan përsëri edhe një herë, të blejnë pak kohë për shumë para.

Jurgen Michels, kryeekonomist i Bayerische Landesbank, beson se konstrukti i Eurogrupit ka marrë çarje dhe se problemet e Athines  janë zgjidhur vetëm përkohësisht.

“Do të jetë shumë e vështirë për grekët të zbatojnë si masat e menjëhershme ashtu edhe reformat themelore”, këmbëngul Michels, e për këtë arsye ka ende zëra që kërkojnë një Grexit, jo menjëherë, por të paktën më vonë.

Top Channel