Vuçiç viziton Preshevën; për herë të parë një kryeministër serb në Luginën e shqiptarëve

15/07/2015 00:00

Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, u prit me mirënjohje nga shqiptarët e Luginës së Preshevës. Me stemën e komunës së Preshevës, që në vetvete përmban një qeleshe ose plis si simbol i shqiptarëve, kryeministrit Vuçiç iu tha se tradita shqiptare është të presin në mënyrën më të mirë mysafirët.

Pas takimeve në kuvendin e e Preshevës, Vuçiç vizitoi dhe hapi zyrtarisht maternitetin e Preshevës, një projekt i financuar edhe nga qeveria shqiptare dhe ajo e Kosovës.

Ndonëse i tha kryetarit Mustafa se “njerëzit e t’u”, duke aluduar kryeministrin Rama, mund të jepnin më shumë, Vuçiç tha se është koha që jo vetëm të flasim me njëri-tjetrin, por edhe të dëgjojmë.

Si kryeministri i parë serb që viziton Preshevën, tha se ka vend për shumë investime, por ndër të tjera i ka bërë përshtypje edhe klubi i shahistëve.

“E para që më tërhoqi vëmendjen ishte klubi i shahut. Kur kam qenë ushtar gjeja kundërshtar në shah vetëm tek shqiptarët, pasi ata luanin mirë. Të lëmë shakatë, kam parë shumë njerëz në rrugë që do të thotë se papunësia është e madhe, por edhe një qytet mjaft i gjallë. Duhet të bëjmë më shumë dhe ende nuk kemi përfunduar procesin e privatizimit këtu”, tha Vuçiç.

Mustafa tha se vizita e kryeministrit Rama pa dyshim që ka qenë më e lumtur për të, por Vuçiç është i gatshëm të dëgjoj shqiptarët. Ai tha se do te fliste me telefon me kryeministrin Rama.

Vuçiç, vizitën në Preshevë e vazhdoi me kampin ku priten refugjatët sirianë në këtë qytet, ndërsa pak qëndroi edhe në Bujanoc, ku kryesisht u takua me serbët e këtij qyteti.

Kryeministri i Serbisë u mundua që vizitën ta kalojë me optimizëm dhe batuta, duke thënë se çdo gjë mund të bëhet në kuadër të kushtetutës, edhe të flitet shqip nga politikanët. Për simbolet, tha se kjo është Serbi dhe jo Shqipëri.

Top Channel