Sterling te Man. City: Mezi pres të nis sezonin këtu

15/07/2015 00:00

Raheem Sterling është zyrtarisht futbollist i Mancester Sitit. Sulmuesi anglez u transferua nga Liverpuli te Citizens për një shifër prej 49 milionë paundë, duke nënshkruar një kontratë 5-vjeçare me të, me një pagë prej 180 mijë paundë në javë.

Pas kryerjes së vizitave mjekësore, Sterling dha edhe intervistën e tij të parë si futbollist i Mancester Sitit në faqen zyrtare të klubit anglez. “Dua të falenderoj të gjithë ata që kam pranë; familjen time, menaxherët e mi që më ndihmuan të arrij deri këtu. Jam shumë i kënaqur që e gjithë kjo histori u mbyll”, tha ai.

Në pjesën e dytë të sezonit, Sterling u bëri të ditur drejtuesve të Liverpulit se nuk e dëshironte rinovimin e kontratës, ndërkohë që ai u akuzua si një futbollist që rend pas parasë, akuza që ai i hodhi poshtë në një intervistë për një televizion britanik, në muajin prill.

Te Mancester Siti Sterling do të mbajë fanelën me numrin 7. Ai deklaroi se mezi po pret që të takohet me shokët e skuadrës së tij të re për të filluar përgatitjet për sezonin e ri, ku ai do të kërkojë të fitojë trofe.

Sterling zbuloi gjithashtu se për transferimin e tij te Mancester Siti ai kishte folur me portierin Xho Hart. “Mancester Siti ka në përbërje futbollistë të klasit të lartë, që janë në gjendje të fitojnë trofe herëpashere. Sa më shumë lojtarë cilësorë ke rreth teje, aq më shumë përmirësohesh. Kështu që mezi po pres të luaj përkrah tyre”, u shpreh Sterling.

Top Channel